Gjykata e Posaçme pranon kërkesën e SPAK: Konfiskohen apartamente, mijëra m2 tokë dhe makina të vlonjatit Raul Zenunaj

Aktualitet

Publikuar: 02/06/2023

Gjykata e Posaçme pranon kërkesën e SPAK: Konfiskohen apartamente, mijëra m2 tokë dhe makina të vlonjatit Raul Zenunaj

Gjykata e Posaçme ka vendosur dje, më datë 1 Qershor 2023, të pranojë kërkesën e SPAK dhe të konfiskojë pasuritë e vlonjatit Raul Zenunaj, i dënuar për trafik droge. Pas dyshimeve se pasuria e këtij shtetasi ishte krijuar nga aktiviteti kriminal, kanë nisur hetimet dhe duket se ato janë provuar.

Sipas konkluzioneve të dhëna nga Prokurori i Posaçme në seancat e mëparshme gjyqësore, me vendimin e datës 01.06.2023 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur midis të tjerash konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive mbi të cilat ishte vendosur sekuestro me vendimin nr.49 datë 05.01.2021:

  • Pasurisë së llojit “Njësi” me sipërfaqe totale 70 m², Bashkia Vlorë, e blerë nga subjekti në vitin 2012 në vlerën 6.944.000 lekë;
  • Pasurisë së llojit “Njësi” me sipërfaqe totale 50 m², Bashkia Vlorë, e blerë nga subjekti në vitin 2012 në vlerën 4.960.000 lekë;
  • Pasurisë së luajtshme automjet i markës BMË tip GM730D, në pronësi të subjektit Raul Zenunaj, e blerë nga subjekti në vitin 2014;
  • Pasurisë së llojit “Arë”, me sipërfaqe 5000 m², aktualisht në pronësi të shtetases E.S.
  • Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe 159 m², Bashkia Vlorë, në pronësi të shtetasit V.Z, e blerë në vitin 2010 në vlerën 8.107.092 lekë.
  • Pasurisë së llojit “Truall”, me sipërfaqe 105 m², Bashkia Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M, e blerë në vitin 2013 në vlerën 1.100.000 lekë.
  • Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe 171 m², Bashkia Vlorë, në bashkëpronësi, të shtetasve V.Z dhe A.M, e blerë në vitin 2013 në vlerën 10.500.000 lekë.
  • Pasurisë së paluajtshme “Shtesë 4-katëshe”, me sipërfaqe totale të 4 kateve 640 m², në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M, Bashkia Vlorë. Nga ekspertimi i kryer në gjykim rezulton se vlera e investimit për pasurinë “shtesë 4-katëshe” është 20.216.320 lekë.
  • Pasurisë së llojit “Bodrum”, me sipërfaqe 181 m², Lagja “Kushtrimi”, Bashkia Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M, e blerë në vitin 2013 në vlerën 7.700.000 lekë.

Raul Zenunaj ishte në mesin e 27 personave të arrestuar në vitin 2019, në kuadër të operacionit “Lulet e Pranverës”, operacion i shtrirë në disa qytete të Shqipërisë si dhe në Itali, ndërsa më herët ishin arrestuar edhe persona të tjerë.

Në atë kohë, Policia goditi katër grupe kriminale, ndaj të cilëve u organizuan 26 operacione. Operacioni i realizuar në fillim të shkurtit 2019, erdhi pas një hetimi dyvjeçar, midis Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Leçes, Itali.

Gjatë operacionit, u sekuestrua një sasi prej rreth 9 tonë drogë e llojit kanabis sativa.