Bruksel/ Xhaçka takon Dendias, diskutohet ‘Beleri’: Të presim me durim fjalën e drejtësisë, asnjë qytetar shqiptar s’është mbi ligjin

Politikë

Publikuar: 22/05/2023

Bruksel/ Xhaçka takon Dendias, diskutohet ‘Beleri’: Të presim me durim fjalën e drejtësisë, asnjë qytetar shqiptar s’është mbi ligjin

Këshilli i Punëve të Jashtme të BE do të mblidhet sot në Bruksel ku ministrat e vendeve anëtare do të diskutojnë për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim do marrin pjesë ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

E pranishme në këtë takim është edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Ajo ka pasur një bisedë të veccantë me homologun grek, Nikos Dendias, bisedë e cila është përqendruar në çështjen e arrestimit të Fredi Belerit, kandidatit fitues të zgjedhjeve në Himarë por që është nën akuzë për blerje votash. Xhaçka thotë se nënvizoi kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe.
“Kjo nuk është as çështje e të Drejtave të Njeriut, as politike, e jo më një çështje dypalëshe. Z. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin. Blerja e votës është një shkelje e rëndë e ligjit tonë dhe çështja e tij tashmë është në gjykatë. E vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë atë”, ka shkruar Xhaçka në lidhje me takimin.

Zyrtarë të BE kanë konfirmuar se temat kryesore që do diskutohen janë procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. BE pritet të përsërisë sërish përkushtimin për të vazhduar ndihmën për rajonin, por edhe të kërkojë nga këto vende të kryejnë angazhimet e marra për të zbatuar reformat dhe për t’u përshtatur edhe me politikën e jashtme të bllokut.
Të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, kanë mbështetur sanksionet e BE kundër Rusisë, si dhe përshtatja e Serbisë me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme është zbehur. BE ka shprehur shqetësim edhe për kërcënimet në Bosnje e Hercegovinë për rrezikun e integritetit territorial nga lideri i Serbëve Millorad Dodik. Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi pritet që të përsëritet thirrja për progres në procesin e normalizimit të raporteve dhe zbatimin e të gjitha obligimeve që palët kanë marrë përsipër në këtë proces.