Mallakastra ndahet ngushtë, por i beson PS! Agron Kapllanaj nuk arrin të mposht Qerim Ismailaj

Politikë

Publikuar: 15/05/2023

Mallakastra ndahet ngushtë, por i beson PS! Agron Kapllanaj nuk arrin të mposht Qerim Ismailaj

Mallakastra do të vazhdojë të drejtohet nga Partia Socialiste. Agron Kapllanaj i PD-së së drejtuar nga Enkelejd Alibeja nuk ka mundur të fitojë besimin e mallakastriotëve dhe të rikthehej në postin që u detyrua të dorëzonte në 2019, si pasojë e një vendimi politik të lidershipit të PD.

Pavarësisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka bërë ende një përditësim të rezultatit final, matematikisht dhe nga raportimet në terren, numërimi i të gjitha kutive ka përfunduar dhe Qerim Ismailaj do të drejtojë bashkinë edhe për një 4 vjeçar tjetër.

Të dy kandidatët kanë marrë mbi 5 mijë vota dhe fitoja është ndarë ngushtë, me rreth 300 vota. Ndërkohë, Resmi Shanaj i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka arritur të grumbulloj rreth 700 vota. Nëse do të ishte bashkë me Kapllanaj, me gjasa sot Mallakastra nuk do të ishte rozë.

Agron Kapllanaj e ka drejtuar Bashkinë e Mallakstrës nga viti 2015 deri në vitin 2019, për një mandat, por u detyrua të mos rikandidonte edhe përse kishte realizuar shumë projekte, për shkak se PD e drejtuar në atë kohë nga Lulzim Basha vendosi të mos hynte në zgjedhje.

Ndërkohë, për Qerim Ismailaj ky është mandati i dytë që ai duhet të drejtojë bashkinë nën siglën e Partisë Socialiste. Pas një procesi të gjatë gjyqësor, për fshehjen e një dënimi në Greqi përpara vitit 2000, ai arriti të merrte një dënim lehtësues që nuk e pengoi të regjistrohej në zgjedhje.

Si Agron Kapllanaj ashtu dhe Qerim Ismailaj, kanë qenë ish-drejtues të komunave të caktuara në Mallakastër.