Xhaçka i përgjigjet Dendias: Beleri, i barabartë para ligjit si kushdo tjetër! Miqtë tanë në Athinë, me durim të lejojnë drejtësinë të kryejë punën e saj

Politikë

Publikuar: 12/05/2023

Xhaçka i përgjigjet Dendias: Beleri, i barabartë para ligjit si kushdo tjetër! Miqtë tanë në Athinë, me durim të lejojnë drejtësinë të kryejë punën e saj

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka i është përgjigjur deklaratave të homologut grek Nikos Dendias lidhur me arrestimin e kandidatit për Bashkinë e Himarës Fredi Beleri, duke kërkuar të mos ndërhyjnë në punën e drejtësisë shqiptare.

Xhaçka thotë se blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin shqiptar dhe kjo vlen për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata të minoritetit grek.

Në këtë aspekt, Xhaçka shprehet se Fredi Beleri nuk kërkon asnjë trajtim të veçantë. Kryediplomatja shqiptare i kërkon zyrtarëve të lartë të Athinës të tregojnë durim duke lejuar drejtësinë tonë të kryejë punën e saj.

Reagimi i plotë i ministres së Jashtme Olta Xhaçka:

Blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat e minoritetit grek që marrin pjesë në zgjedhjet tona.

Kandidatura e shtetasit shqiptar, Alfred Beleri që kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me dëshmitë.

Me respekt, u kërkojmë miqve tanë grekë në Athinë që të monitorojnë nga afër e me durim zhvillimin e çështjes, duke lejuar drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj, pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve.