Kandidati i koalicionit të Ilir Metës dhe Sali Berishës për Bashkinë e Belshit, Bedri Skënder Qypi rezulton të ketë konsumuar veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare shtetërore.
Në jetëshkrimin e dorëzuar prej tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Qypi është treguar i kujdesshëm duke “harruar” të shkruajë kur dhe ku e ka përfunduar shkollën e mesme teksa ka shënuar vetëm arsimin e lartë si ekonomist në financë dhe kontabilitet pranë Universitetit të Elbasanit “Aleksander Xhuvani”.
Po cila është në fakt e vërteta? Nga dokumentet zyrtare që janë në Arkivat e Shtetit, mund të shihet qartë se çfarë shkruhet në fletën përkatëse të shtetasit Bedri Skënder Qypi, me numër amze 675. Bedri Qypi rezulton të ketë kryer vetëm dy vite studime në shkollë nate në degën e agronomisë. Sipas dokumentit zyrtar, Qypi vitin e parë shkollor e ka kryer në 1986-1987 ndërsa vitin e dytë shkollor e ka kryer në 1987-1988.
Bedri Qypi ka mashtruar teksa ka pretenduar se ka kryer katër vite shkollë të mesme kur në fakt e konfirmuar nga faqja e regjistrit të amzës në Arkivin e Shtetit rezultojnë vetëm dy vite. Deftesën e pjekurisë së falsifikuar ai e ka dorëzuar në universitet për tu regjistruar për financë dhe kontabilitet.