Çmimet e kripura të taksive të Rinasit, Autoriteti i Konkurrencës njofton nisjen e hetimeve për abuzim

Aktualitet

Publikuar: 11/05/2023

Çmimet e kripura të taksive të Rinasit, Autoriteti i Konkurrencës njofton nisjen e hetimeve për abuzim

Autoriteti i Konkurrencës njofton hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport SHPK në tregun e shërbimit taksi, për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, shkruan newsbomb.al.

Në mbledhjen e sotme, është marrë nën shqyrtim rasti i kësaj ndërmarrjeje, pas dyshimeve për abuzime me ofrimin e shërbimeve/produkteve duke u vendosur ato në kushte të pabarabarta konkurrence. Shoqëria e shërbimit taksi nga Rinasi është denoncuar vazhdimisht për çmimet e kripura që ofron.

Autoriteti i Konkurrencës thotë se ndërmarrja Tirana International Airport SHPK në tregun e shërbimit taksi, mund të jetë para shkeljes së nenit 9 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Ndaj, sot më datë 11 Maj 2023, është vendosur nisja e hetimit paraprak.

Ligji në fjalë për “Abuzimin me pozitën dominuese në treg”, thotë se mund të përbëjë abuzim veçanërisht vendosja, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e çmimeve të padrejta blerjeje ose shitjeje, ose e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit.

Njoftimi i plotë i Autoritetit të Konkurrencës:

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 11.05.2023, mori në shqyrtim rastin e ndërmarrjes Tirana International Airport SHPK në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

Referuar monitorimit në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës nga ana e Komisionit të Konkurrencës u vlerësua se, mund të jemi para shkeljes së nenit 9 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, ku përcaktohet se përbën abuzim nga ana e një ndërmarrje me pozitë dominuese refuzimi për të ofruar shërbime/produkte duke i vendosur ato në kushte të pabarabarta konkurrence.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 984, datë 11.05.2023 vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport SHPK në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.