Krahas korrupsionit me Kodian Zoton për inceneratorët, SPAK ka hapur një tjetër dosje për Arben Ahmetajn, për privatizimet korruptive kur ishte ministër Ekonomie.
Hetimet janë intensifikuar rreth privatizimit korruptiv të ish-Fabrikës së Bukës në Tiranë nga Arben Ahmetajt, me përfitues biznesmenin Lirim Fezollari, i cili mbi pronën e tjetërsuar pranë Unazës së Madhe ka ngritur edhe biznesin Latitude, këndin e madh të lojërave për fëmijë.
Gazetari Elton Qyno raportoi dje seLirim Fezollari, biznesmeni i “Tabaço Holdin Group” njëherësh dhe përfituesi i ankandit për privatizimin e aksioneve shtetërore të “Buka Sh.a”, është paraqitur në SPAK, duke dhënë shpjegime për procedurën e përfitimit të ish-Fabrikës së Bukës në Tiranë.
Një pronë kjo me mijëra metra katror, mjaft e lakmuar në Tiranë, i është njohur prej vitit 1994 nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, familjes Myderzi.
Por përmes një procedure ankandi të hapur në 2014 nga ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, përfitues i aksioneve shtetërore të kompanisë “Buka Sh.a” është bërë biznesmeni Lirim Fezollari.
Kjo procedurë ankandi, ka shkelur një seri vendime gjyqësore duke përjashtuar pronarët e ligjshëm të tokës, ku ndodhet ish-fabrika e Bukës.
Prapaskena mëson se SPAK ka mbledhur prova të pakontestueshme që faktojnë shpërdorimin e detyrës me pasoja të rënda dhe korrupsionin e Arben Ahmetajt me privatizimin e pronave të ish Fabrikës së Bukës tek Una e Madhe dhe tek 5 Maj, ku është ngritur një qendër tregtare.
Kjo dosje është e ndarë nga dosja e Arben Ahmetajt për çështjen e inceneratorëve, ku përfshihen 3 vila dhe dy apartamente të paligjshme, pastrim parash dhe korrupsion.
Prapaskena mëson se SPAK do t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit Arben Ahmetajt, për ta marrë të pandehur për aferën me përfitues Lirim Fezollarin. Pritet që pronat e tjetërsuara të sekuestrohen dhe të kthehen në statusin e mëparshëm.
Nuk dihet se çfarë i ka dhënë Fezollari në këmbim Arben Ahmetajt për t’u bërë pronar i pronave në zonave më të lakmueshme të Tiranës, prona që sipas ligjit i takonin familjes Myderzi.
Por, dihet që Tigri e ka dorën e rëndë. Ka dyshime të forta se pas kësaj afere korruptive fshihet një ryshfet me vlerë miliona euro dhe intetesa të tjera korruptive.
Nuk ka dyshim që Arben Ahmetaj nuk i ka hyrë kësaj afere pa përfitim, aq më tepër duke shkelur ligjin. Tashmë duket qartë se afera me Lirim Fezollarin do ta çojë Tigrin drejt burgut më parë se sa afera me inceneratorët.