Familjaret e dy 46-vjeçarëve Fatmir Sulovari (Krasniqi) dhe Leonard Theodhori i njohur si “Koçole” janë duke protestuar këtë të martë para godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Sulovari dhe Theodhori janë zhdukur që prej 6 Prillit në Sarandë dhe dyshohet se janë rrëmbyer dhe ekzekutuar nga një grup kriminal në fshatin Vrinë për shkak të prishjes së pazareve të drogës.
Familjarët e dy 46-vjeçarëve kanë humbur shpresat se ata mund të jenë gjallë, teksa kërkojnë zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes dhe gjetjen e trupave të pajetë.
Mësohet se tre përfaqësues kanë hyrë brenda dhe po priten nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku.
Në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar vetëm një person. Bëhet fjalë për Sofokli Baxheri, i cili ka një aktivitet tregtar në Sarandë, që meret kryesisht me blerjen, dhënien me qira dhe shitjen e pronave të paluajtshme.
Nga hetimet ka rezultuar se 28-vjeçari është njeriu që ka gjetur shtëpinë me qira në fshatin Nivicë të Himarës, aty ku më pas është gjendur dhe makina tip “Benz-Mercedez”, me të cilën është rrëmbyer në Sarandë, Fatmir Sulovari. Mësohet se Sofokli Baxheri ka çuar personat në ambjentet e shtëpisë në Nivicë dhe është larguar.
Burime bëjnë me dije se i riu, fillimisht përballë policisë ka filluar të flasë, por më pas është tërhequr nga bashkëpunimi, pasi i ndruhet një hakmarje të mundshme nga anëtarët e grupit kriminal, që rrëmbyen dhe vranë Fatmir Sulovarin dhe Leonard Theodhorin.
Ai ka dhënë një dëshmi kontradiktore përballë grupit të hetimit, duke u shprehur se shtëpinë ja kishte dhënë me qira një personi që jetonte jashtë shtetit. Mes tyre nuk është kryer asnjë akt-noterial, pasi sipas tij gjithçka është kryer në mënyrë verbale.
Por policia dhe prokuroria e Sarandës, janë të bindur që pikërisht në këtë shtëpi, kanë qëndruar anëtarët e grupit kriminal që kanë kryer vrasjen e dy personave dhe vendosjen e tritolit në banesën e ndërtuesit Afëz Kulla, ngjarje kjo e ndodhur në 5 Dhjetor 2022 në Sarandë.