Prokuroria e Posaçme ka hedhur një hap të rëndësishëm sot për zbardhjen e ngjarjeve të vjetra. Në 30-vite kanë ndodhur shumë krime politike dhe ata që kanë gisht sot janë ende në Parlament, pa ju hyrë asnjë gjemb në këmbë.
Sot në SPAK është paraqitur për të dëshmuar Aishe Haklaj, vajza e familjes Haklaj në Tropojë, familje të cilës ju vranë në 4 djemtë e saj: Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj.
Plaku i familjes Haklaj, Muharrem Haklaj dhe vajza e tij Zylfie Haklaj, kanë bërë një padi në SPAK kundër Berishës dhe 14 personave të tjerë, duke i bërë përgjegjës për vrasjen e 4 djemve. Duke qenë se ata kanë marrë azil në Suedi dhe janë në mbrojtje, për të dëshmuar mbi këtë padi ka ardhur vajza tjetër Aishe Haklaj. Ajo ka ngjitur shkallët e SPAK në orën 08.00 të mëngjesit dhe ka dalë pak më parë nga zyra e SPAK, duke dëshmuar për 12 orë.
Sipas informacioneve ajo është marrë në pyetje nga hetuesit e BKH-së, ndërkohë që ka dorëzuar dhe materiale shkresore, si dhe foto e video. Pas largimit nga SPAK, ajo refuzoi të japë detaje për mediat, duke thënë se duhet të ruhet sekreti hetimor. Ndërkohë mësohet se SPAK do të kërkojë të marrë dhe dëshminë e Muharrem dhe Zylfie Haklajt. Ata nuk vijnë në Shqipëri nga frika e hakmarrjes dhe SPAK pritet të kontaktojë autoritetet suedeze për ta marrë atje dëshminë e tyre.
“Me gjithë respektin e madh për mediat, keni kryer detyrën tuaj dhe keni qenë pushteti i vetëm të cilët kemi mundur t’i drejtohemi deri tani. Besimi ynë është ende në SPAK dhe GJKKO. Nuk mund të them më shumë sepse edhe sekretet, edhe gjithçka duhet të ruhet”, tha ajo.
Personat e paditur nga Haklajt janë: Sali Berisha; Përparim Hyka; Myftar Lumneshi; Hajredin Haluci; Haki Adem Hoxha; Tahir Sejd Hoxha; Iljaz Adem Hoxha; Ilir Adem Hoxha; Selim Sejd Hoxha; Agim Sejd Hoxha; Çut Sylejman Neza; Sadri Sylejman Neza, Xhafer Baram Hoxha; Medi Baram Hoxha dhe Guxim Qazim Byberi.
Referuar kallëzimit penal, kërkohet fillimi i procedimit penal dhe kryerja e hetimeve, për kryerjen e veprave penale të: “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga Neni 78/2 i Kodit Penal; “Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”, parashikuar nga neni 333 i Kodit Penal (Viti 1995); “Kryerja e krimeve nga banda e armatosur dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal (1995); “Aktet terroriste”, parashikuar nga neni 230 i Kodit Penal.
Vrasjet për të cilat familja Haklaj akuzon Berishën
1. Në datë 5 janar 1998, në orën 16 e 15′ i bëhet pritë në Qafën e Luzhës me armë zjarri Shkëlqim Haklajt dhe kunatit të tij, Artur Demirit.
Nga ky atentat Artur Demiri ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa Shkëlqim Haklaj ka mbetur i plagosur rëndë dhe kur ka dalë nga makina ka qëlluar në drejtim të pritës duke i thirrur Haki Hoxhës “A’ty të pagoi Saliu me n’a vra o Haki”.
Ndërsa më 6 mars 1998 u vra po nga grupi i Haki Hoxhës, Arjan Malaj, lidhje e ngushtë e Fatmir Haklajt. Në nëtor të vitit 1998, Haki Hoxha, i maskuar, vret Sali Hoxhën (Kuçanën), kryeplak i fshatit Rragam të Tropojës, vrasje kjo e parë edhe nga Avdyl Koka, që është kërcënuar nga Hakiu se po të fliste do ta eliminonte.
Më 5 maj të vitit 1999, në vendin e quajtur Parvove të Pukës, vriten me armë zjarri Ilir Konashevci, nga Podujeva e Kosovës dhe Hazir Malaj, mjek, që të dy lidhje të ngushta të Fatmir Haklajt. Nga shkëmbimi i zjarrit midis dy palëve mbeti i vrarë Agim Demiri, lidhje e Haki Hoxhës. Agim Demiri bashkë me vëllain, Bislim Demiri, shofer në Komisariatin e Policisë Tropojë, i kanë mbajtur nën vëzhgim viktimat, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj për rreth 10 ditë në Tiranë dhe kur ata janë nisur për në Tropojë kanë ndjekur me makinën e tyre derisa kanë kaluar në Fushë-Arrëz dhe më pas u kanë zënë pritë dhe i kanë vrarë- shkruhet në raport. Sipas informacionit, pjesëtarët e këtij grupi janë autorët e disa pritave me mina ndaj Fatmir Haklajt e grupit të tij.
2.Vrasja e Shkëlqim Haklajt u bë në orën 16. 15′ të datës 5 janar 1998.
Në orën 16. 35′ në selinë e PD-së në Tiranë u bë i ditur ky njoftim. Ende nuk ishte vënë në dijeni për këtë vrasje as Komisariati i Policisë Tropojë, as Ministria e Brendshme, sepse ende rrjeti i komunikimit të kohës ishte shumë problematik, për mungesë të telefonisë. Ndërsa Sali Berisha, urdhëruesi i kësaj vrasjeje dhe krijuesi dhe drejtuesi i “Bandës së Amatosur”, u vu në dijeni menjëherë, në saj të telefonit satelitor që i kishte vënë në dispozicion njëri prej anëtarëve të Bandës së Armatosur, njeriu i afërt dhe shumë i besuar i tij. Në datën 06.05.1999, në vendin e quajtur “Varret e Shalës”, rreth 100 metër pranë një muri mbajtës të rrugës, janë vendosur dy mina me telekomandë nga e njëjta “Bandë e Armatosur” që krijoi, frymëzoi dhe hodhi në veprim Sali Berisha kundër familjes Haklaj.
Këto dy mina u vendosën pikërisht këtu për të vrarë Fatmir Haklajn, i cili ishte i detyruar të kalonte pikërisht në këtë rrugë për të shkuar në punë. Në momentin që makina me personat e lartpërmendur brenda saj mbërriti në vendin ku ishin vendosur minat, ato u aktivizuan nga “Banda Kriminale” dhe mbeti i vrarë kushëriri i Fatmir Haklajt, i quajturi Eduard Osman Haklaj. Fatmir Haklaj, Sami Kërrnaja dhe Shpëtim Gjyriqi mbetën të plagosur. Personat që i sollën dhe i aktivizuan këto mina ishin Jonuz Hyka, Përparim Hyka dhe një person tjetër. Jonuz Hyka, i cili në atë kohë ishte Drejtor i Policisë së Qarkut Kukës, siguroi minat.
3. Në datën 04-08-1999 në orën 8:40′ të mëngjesit është vrarë Halil Haklaj
Fatmir Haklaj po shkonte në pune në “B.Curri”, ku punonte me detyrën e Komandantit të grupeve të gatshëm në Komisariatin e Policisë. Minat që ishin vendosur për të kryer këtë akt të rëndë terrorist në rrugë, dhe që u aktivizuan me telekomandë, vranë Halil Haklajn dhe Feriz Kermajën, si dhe u plagos Fatmir Haklaj. Këto mina me telekomandë ishin të njëjta, sipas ekspertizës, me minat që vranë Eduard Osamn Haklajn në daten 06.05.1999.
4. Në datën 04.11.1999, në fashtin Bujan, vritet Fatmir Haklaj
Pritën vrasësit e kishin ngritur në oborrin e shtëpisë së Haxhi Jakupit, në afërsi të shtëpisë së Jaho Mulosmanit. Në këtë pritë të datës 04.11.1999 pranë shtëpisë së Jaho Mulosmanit mbeti i vrarë jo vetëm Fatmir Haklaj, por edhe Sami Ali Kërrnaja, si dhe mbeti i plagosur Jaho Mulosmani. Autorë të këtij krimi ishin anëtarët e Bandës së Armatosur Kriminale Haki Adem Hoxha, Medi Baram Hoxha, Përparim Adem Hyka dhe një person tjetër anëtar i bandës.
5. Vrasja e Ylli Haklajt
Në datën 03 dhjetor 2000, rreth orës 12.50′ të drekës, “Banda e Armatosur” e Sali Berishës, kanë qëlluar me snajper djalin dhe vëllain tonë Ylli Haklaj. “Banda dhe snajperat ishin pozicionuar në kodrat në lindjen e shtëpisë së Haklajve, në një distancë prej afro 300 metra.
6. Plumba ndaj kullës së Haklajve
Në datën 20 qershor 2006 është qëlluar me plumba Kulla e Haklajve. Denoncimi në Polici është bërë nga qiraxhiu që jetonte në katin e parë të shtëpisë, Manush Selivrada. Policia e Tropojës dhe Prokuroria kanë filluar procedimin penal për këtë çështje, por e kanë pezulluar. Në këtë kohë në banesë kanë qenë gruaja dhe fëmijët e Manush Selivradës, të cilët janë rrezikuar nga të shtënat.
7. Në datën 18 korrik 2006 për herë të dytë, Kulla e Haklajve është qëlluar me breshëri armësh për të vrarë cilindo që ndodhej brenda saj. Plumbat kanë kaluar fare pranë kokës së qiraxhiut. Dëshmitari Manush Selivrada ka bërë kallëzim penal për këtë akt terrorist në Policinë e Tropojës. Policia ka ardhur në vendngjarje dhe pas kqyrjes së vendit të ngjarjes, ka fiksuar gjurmët e këtij akti terrorist, si plumbat e gjetura nga armët automatike dhe snajperi, drejtimi i të cilave vinte nga kodra përballë shtëpisë së Haklajve.