Gjykata e Posaçme ka dënuar me 3 vite e 6 muaj burg Leonard Palushin, ish-shefin e krimeve në Policinë e Elbasanit.
Palushi u arrestua gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, ndërsa u shpall fajtor për akuzën e korrupsionit. Theksojmë se ai u vu në prangat e Policisë, pas dëshmisë së Nuredin Dumanit që pranoi të bashkëpunojë me prokurorinë për të zbardhur disa ngjarje të rënda kriminale.
Leonard Palushi akuzohet se ka bashkëpunuar me bandat kur ishte në Elbasan dhe ka ndikuar qëllimisht në devijimin e hetimeve në rrugë të gabuar për një ngjarje kriminale.
Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, i pandehuri Palushi ka krijuar raporte me të hetuarin Erjon Alibeajn dhe ka marrë tërthorazi prej tij perfitim te parregullt. Në hetime ka rezultuar se ai ka marrë një makinë nga Alibeaj, në këmbim që të dekonspironte operacionet e policisë.