Përfundon dita e parë e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Rajon

Publikuar: 03/04/2023

Përfundon dita e parë e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Ka përfunduar sot seanca gjyqësore gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se nesër do të vazhdojë gjykimi me deklaratat hyrëse të avokatëve mbrojtës të tyre.

“Sot mbyllim seancën publike. Takohemi nesër më 4 prill në orën 09:00 paradite për të vazhduar me deklaratat hyrëse të Mbrojtjes. Fillojmë me Mbrojtjen e Thaçit”, tha Smith.

Prokuroria sot pati pesë orë kohë që ta paraqes deklaratën hyrëse. Në të, pati shumë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Aktakuza që është në fuqi për këtë çështje gjyqësore është e datës 24 shkurt e këtij viti, ku sipas saj pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi mbajnë përgjegjësi penale individuale për krime të kryera.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte kundër njerzimit, vrasje, torturë dhe zhvendosje me forcë. Sipas aktakuzës këto krime janë kryer 1998 – 1999 në disa vende në Kosovë, në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut, nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve që nuk merrnin pjesë në luftime.