Prapaskena

Pa kategori

Nis sot gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, akuzohen për krime lufte

Publikuar: 03/04/2023

Ditën e sotme në Gjykatën e Hagës nis gjykimi ndaj katër ish-krerëve të lartë të UÇK-së, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit. Ata ndodhen në paraburgimin e Gjykatës Speciale që prej vitit 2020. Pas marshimit që u mbajt një ditë më parë në Kosovë, ku mijëra njerëz u mblodhën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, një tjetër protestë është thirrur sot para Gjykatës Speciale.

Ish-krerët akuzohen për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Dhomat e Specializuara të Kosovës njoftuan se është planifikuar që deklaratat hyrëse të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit.

“Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme”, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në Aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale për këto krime.



Më të lexuarat