Vrasësi me pagesë Ernejt Shyti ka rrëfyer se porositë për vrasje i merrte nga Bujar Leza.
Leza besohet se është një ndëmjetës që gjen vrasës me pagesë dhe u jep porosi.
Shyti ka dëshmuar se Leza e kishte paguar me 50 mijë euro për vrasjen e bosit të drogës Behar Sofia, dhe më pas kishte marrë porosi nga Leza për të vrarë një të ri në Kamëz.
“Pasi u vra Behar Sofia, kishim porosi tjetër nga Bujar Leza. Do të bënim një vrasje në Kamëz, shenjestra ishte një person 34 vjeç që e kishte shtepinë në Kamëz, shumë pranë komisariatit të Policisë. Këtë vrasje do e bënte Xhulian Visha, por zona ishte shumë e monitoruar dhe ndaj paguhej shumë lekë. Nuk u arrit qëllimi sepse duhej studiuar mirë zona, ishte tepër e vështirë”, ka rrëfyer Shyti.
Po kush është Bujar Leza dhe ku ndodhet aktualisht?
Bujar Leza është 47 vjeç nga Kruja. Kur u zbërthye vrasësi me pagesë Ernejt Shyti, i cili u kthye në bashkëpunëtor i drejtësisë, policia shpalli në kërkim Bujar Lezën në vitin 2021.
Teksa policia e kërkonte, Bujar Leza ndodhej në qelinë e paraburgimit të Fushë Krujës për dhunë në familje. Kështu policia e kishte të lehtë të ekzekutonte urdhrin e arrestimit.
Në vitin 2014, Leza në bashkëpunim me Leonar Xhixhës, si dhe shtetasin V.C, tentuan që të vrisnin Fatjon Alimanin.
Porositësi i vrasjes, Mirdash Osmani kishte kërkuar eliminimin e 20-vjeçarit Alimani, pasi disa muaj para atentatit të dështuar kishte pasur një zënkë me të, që kishte përfunduar në plagosje më armë zjarri.
Por fatmirësisht plani u pikas në kohë nga Policia. Mesa duket Leza nuk kishte hequr dorë nga “profesioni”, duke ndërhyrë në vrasjen e Sofisë.
Pasi ka dalë nga burgu, Leza ka kërkuar dëmshpërblim për arrestim të padrejtë. Edhe pse pretendoi të kundërtën, Leza humbur në Shkallën e Parë dhe e Apeloi çështjen në Gjykatën Administrative të Apelit, çështje për të cilën ende nuk ka një vendim.
‘Më prishët imazhin dhe më futet në konflikt, më dëmshpërbleni për burgosje të padrejtë’– ishtë kërkesa e Bujar Lezës.
66-vjeçari Behar Sofia u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë drejt Kodrave të Liqenit.
Deri më tani për krimin në fjalë janë vënë në pranga katër persona, Ernejt Shyti, Skënder Vathi, Xhuliano Visha dhe Leonard Xhixha. Sipas hetimeve të deritanishme, ekzekutor është Shyti.
Ai rezulton të jetë urdhëruar e paguar nga tre persona të tjerë. Por emri i njeriut që e donte Sofian të vdekur, nuk dihet ende.