Zeka: Partitë politike në Shqipëri e Kosovë kanë pasur skuadra për vrasjen e kundërshtarëve dhe rrahjen e gazetarëve

Aktualitet

Publikuar: 30/03/2023

Zeka: Partitë politike në Shqipëri e Kosovë kanë pasur skuadra për vrasjen e kundërshtarëve dhe rrahjen e gazetarëve

Gazetari Milaim Zeka i ftuar në “Ora e Betit” deklaron se media e ka humbur rëndësinë e saj sa kohë është e varur nga klikimet.

Si shembull ai solli raportin e kryeministrit Rama me gazetarin Blendi Fevziu.

“Sikur një kryeministër të kishte kapur për veshi një moderator në studio siç e ka kapur për veshi Blendi Fevziun kryeministri Rama jo që për jetë nuk do ta ftoja atë politikan në emisionin tim por sikur të varet jeta ime…Është kundër çdo morali, çdo etike. Nuk kanë nevojë politikanët të kenë një medium sepse i kanë të gjithë mediumet. Ne jemi shndërruar në emisione që bëjmë luftë për klikime. Vjen Edi Rama, të bën një skandal, të fyen dhe denigron dhe prapë e thërras në emision se me rëndësi janë klikimet. Kush të klikon, një populll që është shoqëri e Big Brother, një popull që zbraz rrugët e Tiranës për të shikuar Big Brother”, tha Zeka.

Ai më tej bëri edhe një deklaratë të fortë kur tha se partitë politike në Shqipëri dhe Kosovë kanë pasur brenda vetes skuadra për vrasjen e njerëzve.

“Partitë politike në Shqipëri dhe Kosovë kanë pasur brenda vetes edhe skuadra për vrasje të njerëzve. Rrahje të gazetarëve, vrasje të kundërshtarëve politikë, këto dihen. Rasti i BIRN është pak më i mirë se kanë mbështetje financiare nga institucione të ndryshme ndërkombëtare. Ne kemi presion të dyfishtë, nga politika dhe shumica e pronarëve.

Personalisht, disa pronarë të televizioneve në Shqipëri dhe Kosovë, pyetjen e parë që ma kanë bërë ka qenë jo çfarë di të bësh, por me cilën parti politike je, çfarë mendon për filan lider politik? Për mua ka qenë trishtuese, neveritëse dhe mbi të gjitha poshtëruese për profesionin tim.

Njerëz të fuqishëm të medias, pasi kemi bërë kontratë verbale për një vend pune në një media të fuqishme në fund më ka thënë po por më ka ardhur lajmi që ti nuk je mirë me filan lider politik dhe nuk je i dëgjueshëm dhe i kontrollueshëm. Kosova është shumë më mirë se Shqipëria se kemi monitorues ndërkombëtar”, tha Zeka.