Gjyqtari që do të shqyrtojë ankimimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj për kontrollin e SPAK në banesa është Dhimitër Lara.
Burime thanë se gjyqtari Lara, i zgjedhur nga shorti, do ta shqyrtoje i vetëm apelimin ndaj vendimit që lejoi kontrollin e banesës së bashkëjetueses së Ahmetajt në Hamallaj.
Në Apel Ahmetaj kërkon konstatimin e vendimit të shkallës së parë si anti-kushtetues, pasi sipas tij, për lejimin e kontrollit të banesës së bashkëjetueses së tij duhej marrë miratim nga Kuvendi.
Kujtojmë se Arben Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për 4 akuza të rënda, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar ndaj tij me akuzat e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit, pastrimit të parave dhe përftimit të paligjshëm të interesave. Mësohet se SPAK ka bashkuar dy procedime ndarjen e fraksionit për inceneratorin e Elbasanit ku po hetohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion dhe pastrim parash pas kallëzimit qe i është bërë për vilën në Hamallaj.
Nga ana tjetër, ish-ministri Arben Ahmetaj, i cilësoi të paligjshme kontrollet që janë bërë nga Byroja Kombëtare e Hetimit e SPAK në vilat në pronësi të bashkëjetueses së tij dhe ish gruas.
Ahmetaj përmes një ankimi në GJKKO-në e Apelit thotë se e para kontrolli në një prej vilave minimalisht është anti kushtetues pasi nuk është marrë leje nga Kuvendi, duke qenë se ai është deputet dhe jeton aty. Sipas Ahmetaj njëkohësisht bashkëjetuesja nuk është informuar paraprakisht për të pasur praninë e një mbrojtësi ligjor.
Në kuadër të hetimeve, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbarkuar për kontroll në disa nga pasuritë në emër të ish-bashkëshortes së Arben Ahmetaj, Albina Mançka dhe të bashkëjetuese Erjola Hoxha. Gjatë kontrollit tek vila në zonën e Hamallajt, u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh. Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente.