Në Top Channel u shmang masakra? 3 minuta para sulmit u largua furgoni i fundit me gazetarë!

Aktualitet

Publikuar: 27/03/2023

Në Top Channel u shmang masakra? 3 minuta para sulmit u largua furgoni i fundit me gazetarë!

Vetëm 3 minuta para se dhjetëra plumba kallashnikovi të shkreheshin në drejtim të një prej televizioneve më të mëdha në vend, Top Channel, gazetarët e fundit të kësaj mediaje ishin larguar nga ambientet e punës së tyre.

Ata sapo kishin transmetuar edicionin e fundit të lajmeve dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërkohë që nëse do ishin vonuar edhe 180 sekonda më vonë mund të ishin pre e një sulmi terrorist dhe shumë të rëndë. Nuk dihet nëse kriminelët pritën që gazetarët të iknin apo thjesht rastësia e 3 minutave shmangu një masakër.

Është mësuar gjithashtu se makina me të cilën të paktën 3 autorë, një ‘Range Rover’ që është gjetur më pas e djegur në Golem të Kavajës me 2 kallashnikovë, nuk rezulton e regjistruar në Shqipëri. Pra numri i shasisë nuk është i regjistruar nga autoritet shqiptare, dhe me shumë mundësi është vjedhur fillimisht në Angli.

Ndërkohë që një tjetër mister që e mbulon ngjarjen është edhe fakti që lidhet me targat e makinës. Targa ishte vjedhur para një muaji nga një makinë e regjistruar në Elbasan. Targat kanë qenë në pronësi të një kameramani të emisionit të ‘Top Channel’ ‘Inside Story’, i cili vetëm pak kohë më parë e kishte shitur te një kushëri. Ky i fundit kishte denoncuar vjedhjen e targave.