Një burim i brendshëm, sinjalizoi Prapaskenën, se në Ministrinë e Shëndetësisë është finalizuar një aferë korruptive për tenderin me vlerë rreth 7 milionë euro për asgjësimin e mbetjeve spitalore, për një periudhë 36 mujore.
Tenderi është shpallur dy ditë më parë, duke i hapur rrugë një gare formale, pasi në fakt fituesi, sipas burimit, është përcaktuar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe sekretarja e Përgjithshme, Joana Duro, e cila do të firmosë aferën korruptive.
Sipas këtij sinjalizimi, si fitues i këtij tenderi është paracaktuar kompania “ECO RICIKLIM” e Arbër Teqjas, i njohur si një zar i oligarkut Klodian Allajbeu, një nga përfituesit më të mëdhenj të parave publike në shëndetësi si dhe protagonist i koncensionit korruptiv të hemodializës.
Pjesë e skemës janë edhe kompania “MEDI-TEL SHPK” e Anastas Peçinit si dhe V.A.L.E. RECYCLING e Elvis Mirit, të lidhura me “ECO RICIKLIM”.
Që të tria kompanitë janë pjesë e një linje interesash dhe pazari për ndarjen e parave publike.
Që të tria kompanitë janë të skeduara në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për aktivitet kriminal në fushën e mjedisit, pasi nuk i asgjësojnë mbajtjes spitalore, por i hedhin nëpër përrenj, lumenj dhe fusha.
Sipas një raporti të KLSH-së, Arbër Teqja, Elvis Miri dhe Anastas Peçini marrin paratë nga Ministria e Shëndetësisë dhe degët e saj, dhe nuk zbatojnë kontratat.
Duket se treshja është korrekt në pjesën e ndarjes së parave të tenderave me kupolën e korruptuar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe sekserëve, dhe kjo duket se mjafton për ministrinë, e cila ka edhe tenderin me vlerë 7 milionë euro do ta ndajë me tre klientët.
Ftojmë SPAK-un dhe BKH-në që të monitorojë këtë tender si dhe lëvizjet e tre klientëve Arbër Teqja, Elvis Miri dhe Anastas Peçini, të cilët dyshohet se e kanë dhënë kaparin.
Nga ky tender pritet të ndahen të paktën 2 milionë euro, pasi oferta fituese do të shpallet me vlerë sa fondi limit.
Ftojmë gjithashtu BKH-në të verifikojë lëvizjen e parave të korrupsionit nga Ogerta Manastirliu dhe klienti i saj i famshëm, Sokol Topçiu, i arrestuar për kontrabandë ilaçesh, por që me sa duket e ka rritur ta mbyllë dosjen me para. Edhe Arbër Teqja është arrestuar më parë për kontrabandë ilaçesh dhe mashtrim.
Kush është Arbër Teqja
Teqja ka qenë i arrestuar në vitin 2015, si një prej përfituesve nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në shuma të konsiderueshme parash nëpërmjet skemës së rimbursimit të medikamenteve nëpërmjet farmacisë së tij “Express”.
Teqja u arrestua për evazion fiskal, pasi kishte përfituar në mënyrë abuzive nga fondi i rimbursimit të ilaçeve, nëpërmjet falsifikimit të recetave.
Por nuk ndalet këtu informacioni për Teqjan! Rezulton se nëpërmjet kompanisë tjetër të tij DIAL-ALB ai është gjobitur në kohën e pandemisë nga Autoriteti i Konkurrencës me masë administrative gjobë në vlerën e 1.2 milionë lekëve për shumëfishim të çmimeve të dezinfektantëve dhe maskave në muajt kur Shqipëria u kalua nga pandemia e Covid-19, duke zhvatur kështu qytetarët e varfër shqiptarë
Arbër Teqja kontrollon kompaninë Eco Riciklim, e cila ka lidhur mbi 40 kontrata të dyshimta për gjoja asgjësimin e mbetjeve spitalore. Sipas një dosje me fakte tepër shqetësuese, nuk ekzistojnë dokumente që të vërtetojnë procesin fundor të asgjësimit të mbetjeve nga kompania Eco Riciklim.
Mbetjet spitalore shfaqen nëpër fusha, përrenj, kazanë plehrash etj., duke ngritur dyshime të forta për krim kundër mjedisit dhe shëndetit, çka implikon edhe Ministrinë e Shëndetësisë si autoritet që mbikëqyrë zbatimin e kontratave, por edhe agjencitë e fjetura për mbrojtjen e mjedisit.
Këtë kompani Allajbeu ia ‘besoi’ fillimisht Fatos Deliut, një personazh me lidhje misterioze në Itali dhe që del në pah në koncesionin tjetër skandaloz, atë të stelizimit me vlerë 100 milionë euro si dhe në tenderat e lavanderisë së spitaleve. Fatos Deliu kontrollon pjesërisht koncensionin e sterelizimit me kompaninë fantazmë Servizi Italia me adresë pikërisht tek spitali i oktapodit Allajbeu.
Nga ana tjetër, Arbër Teqja funksionon si maska e qarkullimit dhe menaxhimit të parave të dyshimta të Allajbeut, ndërsa ndajnë bashkë pasionin e kalërimit. Klodian Allajbeu është edhe drejtor ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Sporteve me Kuaj si dhe administrator i Organizatës Kombëtare Antidoping.
Pista e hipizmit është pjesë e resortit “Equos Resort” në Mullet të Tiranës, ku dyshja kanë rreth 20 kuaj. Resorti ka një sipërfaqe mbi 100 mijë m2, ku përfshihen edhe 7 pishina gjigante, suita, restorante etj., ngritur me para me burim të paqartë dhe që është monitoruar për punë të liga.
Resorti me vlerë miliona euro administrohet nga Arbër Teqja, ndërsa pronar në hije dyshohet se është pikërisht ustai i tij Klodian oktapodi, kamufluar me dy personazhe anonimë.
Sigurisht që Arbër Teqja është vetëm një nga personazhet e rrethit të dytë në serialin e përfitimit të parave të shëndetësisë nga Klodian Allajbeu.
Ogerta Manastirliu ka licencuar në mënyrë të paligjshme edhe laboratorin privat “ALNET” të Spitalit Amerikan të Klodjan Allajbeut për kryerjen e testeve të shpejta anti-Covid. Laboratori i Allajbeut nuk ishte akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit. Megjithatë, lëvizja e Manastirliut i ka sjellë oktapodit miliona euro të ardhura.
Edhe afera me testet e shpejta mbetet thjeshtë një shenjë në mozaikun e vjedhjeve Allajbeu-Manastirliu. Mbi 10 milionë USD tendera të dyshimtë ka marrë oktapodi Allajbeu nga dora e Manastirliut për blerje maskash anti-covid 19, me kompanitë që kontrollon drejtpërdrejt dhe në mënyrë të tërthortë.
Tendera me vlerë dhjetëra milionë euro ka rezervuar Manastirliu për Allajbeun për shërbime të tjera si medikamente, testet jo të shpejta për covid, pajisje etj., me garë formale dhe pa garë fare, por gjithnjë pa cenuar parimin e diferencës qesharake me fondit limit dhe ofertës fituese.
Do të ishte e befasuese nëse Allajbeu nuk do të kishte lidhje interesash të arrëta me një ikonë të tenderave të dyshimtë në shëndetësi.
Ai është Rasim Hamzaraj, i njohur me pseudonimin Luço, pronar i kompanisë “Megapharma”. Hamzaraj, një nga klientët e Manastirliut, është djali i dajës së Petrit Vasilit. Ky i fundit, i certifikuar si politikani më pak i votuar në Shqipëri, nuk flet kurrë për mënyrën e menaxhimit të parave në shëndetësi!
Ndërkaq, është e natyrshme lidhja e ngushtë e Klod Allajbeut me personazhin kontrovers, greko-shqiptarin Janis Karathano, një nga përfituesit më të mëdhenj të parave publike në shëndetësi, me anë të një rrjeti kompanish të përfshira në aktivitet kriminal në Spanjë.
Krahas tenderave klientelistë, Karathano ka marrë nga Manastirliu në mënyrë të paligjshme koncensionin e laboratorëve në 18 spitale publike, me vlerë 104 milionë euro.
Banka Botërore kërkoi që ky koncesion të mos i jepej Karathanos, pasi kompanitë e tij ishin të skeduara për aktivitet kriminal, por Manastirliu e kishte ndarë mendjen!
Emri i Klodian Allajbeut del në pah edhe në dokumentet e përgatitua për të marrë një tender me vlerë miliona dollarë në Zimbabve, një oaz korrupsioni po aq i famshëm sa edhe Shqipëria.
Allajbeu u identifikua nga autoritetet e vendit afrikan si drejtor i kompanisë Papi-Pharma, e lidhur me kompanitë e të famshmit Ilir Dedja, i përfshirë në aferën e tenderit 60 milionë dollarë në Zimbabve, që çoi në arrestimin e ministrit të Shëndetësisë në Zimbabve, Obadiah Moyo.
Tenderi që donte të merrte Allajbeu dështoi për shkak të frikës së presidentit Emmerson Mnangagva se qeveria turke do të informohej dhe për rrjedhojë do të zemërohej, pasi Allajbeu është skeduar nga autoritet turke si pjesë e një lëvizje të shpallur si terroriste.
Pronar në letra i kompanisë Papi-Pharma është vëllai i deputetit Alqi Bllako, Taned Bllakon. Klodian Allajbeu është ortak me Taned Bllakon në kompaninë Alned 91, me adresë në një fabrikë të prodhimit të birrës në Ersekë.