Nga hajdut pulash, në vrasës grash/ Zbulohet vjedhja e Dan Hutrës në kotecin në Durrës

Aktualitet

Publikuar: 02/03/2023

Nga hajdut pulash, në vrasës grash/ Zbulohet vjedhja e Dan Hutrës në kotecin në Durrës

Edhe pse mund të duket e çuditshme, Dan Hutra, autori i tre vrasjeve të ndodhura ditën e djeshme në Paskuqan dhe Kodër-Kamëz, më parë ka qenë hajdut pulash.

Në shkurt të vitit të kaluar Dan Hutra është arrestuar dhe ka qendruar vetëm dy ditë në burg pasi ka vjedhur pula në një kotec në Durrës.

Ngjarja ka ndodhur më 31 janar 2022, në lagjen nr.15 në Durrës. Gjatë natës, shtetasi Orjol Shuli ka konstatuar se në kotecin ku mbante pulat kishte hyrë dikush. Pasi kishte dëgjuar zhurmën ai kishte shkuar të shihte se çfarë po ndodhte, por kishte parë dikë që po dilte nga koteci i pulave dhe po largohej me vrap.

Menjëherë pas kësaj ngjarje, Orjol Shuli ka shkuar në polici dhe ka përshkuar para uniformave blu, personin që kishte parë duke dalë nga koteci i pulave të tij. Patrulla e policisë pasi ka marrë kontaktet, ka konstatuar se përpara banesës së tij ndodhej një automjet Benz me targë AB112AF, i cili kishte çelësin në kuadër dhe një telefon në sendilje. Duke dyshuar se mjeti ishte i autorit, patrulla ka kërkuar dhe ka konstatuar një person, i cili ndodhej rreth 500 m larg vendit të ngjarjes.

Ky person është identifikuar si Dan Hutra, banues në Kukës i cili ka pohuar para oficerëve të patrullës se mjeti i parkuar ishte i tij. Por jo vetëm kaq pasi karakteristikat e Dan Hutras, përputheshin me shpjegimet e Orjon Shulit për autorin e vjedhjes. Pas hetimit të kryer është konstatuar se brenda kotecit ndodheshin disa fije spango ngjyrë blu dhe të bardhë me gjatësi rreth 2 m, të ngjashëm me ato që janë gjetur edhe në automjetin me targë AB112AF.

Orjol Shuli, ka deklaruar se autori Dan Hutra, në kotec kishte lidhur një pulë me disa fije plastike të cilat i ka lënë në kotec, kur është larguar me vrap. Sendet e sekuestruara, automjeti dhe dokumentet nuk ishin të vjedhura, por i janë kthyer personit që i përkasin Altin Bytyqit.

Për këtë krim Dan Hutra, ka qëndruar vetëm 2 ditë në burg, pasi është liruar nga gjykata e Durrësit, në muajin Shkurt 2022 me masën e sigurisë “detyrimit për t’u paraqitur në polici”. Hutra në këtë gjykim nuk është paraqitur asnjëherë pasi në 16 qershor 2022 ai është ndaluar në Tiranë, për akuzën e “Dhunës në Familje.”