“I forti” i Vlorës ia hodhi sot aksionit të FNSH, kush është Inez Hajrulla që u ka shpëtuar dy atentateve

Aktualitet

Publikuar: 23/02/2023

“I forti” i Vlorës ia hodhi sot aksionit të FNSH, kush është Inez Hajrulla që u ka shpëtuar dy atentateve

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Policia e Vlorës janë duke zhvilluar një operacion në qytetin bregdetar, prej ditës së djeshme. Objektivi i kontrolleve “blic” janë personat me rrezikshmëri të lartë dhe te kërkuar.

Policia e Vlorës, raporton se është bërë i mundur arrestimi i shtetasit Denis Karafili si edhe janë shpallur në kërkim shtetasit Inez Hajrulla, Olsi Koçeli, Erand Hoxha dhe Klaus Islamaj, të pestë pjesëtarë të një grupi kriminal me aktivitet në fushën e krimeve kundër personit.

Theksojmë se Inez Hajrulla është një emër shumë i njohur për Policinë, i cili i ka shpëtuar dy atentave, fillimisht në vitin 2017 dhe më pas në 2019.

Në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët.

Më pas atij iu bë atentat me 10 Maj të vitit 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal.

Hajrulla i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht Dajko Cenodemaj që po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Autorët pasi u larguan dogjën automjetin në Babicë të Vogël.