Ashtu dhe siç ishte paralajmëruar më herët, ditën e sotme grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar zyrtarisht ne Kuvend shkresën për nisjen e procedurës së shkarkimit të kryeparlamentares Lindita Nikolla.
Sipas ligji shkresa i drejtohet Këshillit të Legjislacionit në Kuvend. Kanë qenë 28 deputetë që kanë firmosur në shkresën për shkarkimin e Nikollës, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur.
Në seancën e të enjtes së kaluar, u shkaktuan trazira në Kuvend, për shkak se nuk u pranua kërkesa e opozitës për të diskutuar mbi skandalin “McGonigal”. Pas kaosit të krijuar, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e mbylli seancën pa diskutime, vetëm kaloi në votim projektligjet, të cilat u miratuan vetëm me votat e maxhorancës.
Pas këtij veprimi nga ana e kryeparlamentares, disa deputetë të PD deklaruan se do të kërkojnë nisjen e procedurave për shkarkimin e saj, me argumentin se kjo e fundit i mohoi opozitës që të diskutojnë për çështjet e rendit të ditës.