Vjedhja e naftës nga kupola drejtuese, përdorimi i makinave për familjet dhe aferat me tendera, duket se është skandali më i rëndomtë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore me në krye Astrit Hadon prej 6 vitesh.
Në një tjetër raport të korrikut të vitit 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton shpartallimin në të gjitha drejtimet të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Do të mjaftonte vetëm njëra nga gjetjet që kupola e ISSH-së minimalisht të shkarkohej si e paaftë dhe e papërgjegjshme për detyrën, për të cilën paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.
Po le t’i marrim me radhë konstatimet:
–Ka dështuar reforma në sistemin e sigurimeve shoqërore.
-Mungon strategjia për zhvillimin e sistemit të sigurimeve shoqërore për periudhë afat-mesme dhe afat-gjatë.
-Institituti i Sigurimeve Shoqërore ka dështuar në rritjen e të ardhurave e numrin e kontribuesve dhe në uljen e defiçitit në skemën e pensioneve.
-Nuk ka dosje për dokumentimin e punës ss auditit të brendshëm në ISSH.
-Në ISSH vleresimi i punonjësve është bërë në mënyrë fiktive, nuk janë realizuar aktivitetet trajnuese për stafin dhe procedurat për rekrutimet janë fiktive.
-Në procedurat tenderuese u janë dërguar ftesë për ofertë kompanive në mënyrë të paargumentuar.
-Janë shpallur fitues të tenderave kompani që nuk kanë licencë për ushtrim aktiviteti.
-Në procedurën tenderuese për riparimin e makinave pagesat janë kryer pa krijuar një komision prej tre personash, makinat janë marrë në dorëzim si të riparuara pa një komision sipas ligjit.