Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me Akil Nerjakun, i cili u arrestua sot në kuadër të një urdhri të lëshuar nga SPAK. Nejraku njihet si kundërshtari i “Rrumit” të Sukthit, Aleksandër Lahos. Nga ky operacion janë arrestuar 4 persona dhe dy të tjerë të shpallur në kerkim, mes tyre edhe Ramazan Rraja.
Kujtojmë se ditën e djeshme drejtuesi i prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani, lëshoi një ditë më parë një mandat shoqërimi për Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist në Krujë Rrahman Rraja.
Mëngjesin e së enjtes SPAK, RENEA dhe oficerë të BKH kanë kryer kontrollin e disa banesave në zonën e Rinasit, Niklës dhe Krujës, me shpresën lokalizimin dhe më pas arrestimin e Ramazan Rrajës, por pa sukses.
Akil Nerjaku nuk është emer i panjohur për policinë. Ai është arrestuar disa vite më parë për armëmbajtje pa leje dhe është liruar më pas nga gjykata. Po ashtu edhe Rraja është një personazh i njohur për policinë. Emri i tij është lakuar në vijimësi nga media.
Nga dje mësohet se SPAK po vijon me kontrollet e banesave dhe ndalimin e personave te dyshuar si pjesëmarëës në veprimtari kriminale.
Gjatë aksionit të djeshëm është shpallur në kërkim Ramazan Rraja, ndërsa janë ndaluar persona të tjerë, për ngjarjen kriminale të ndodhur në 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Sukthit. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë Andi Maloku dhe u plagosën Landi Muharremi dhe prokurori Arjan Ndoja.
Akil Nerjaku ka qenë shënjestër e një atentati me snajper që dështoi në zonën e plazhit në Durrës, në shtator të vitit të kaluar.
Në atë kohë Nerjaku ka qenë duke lëvizur në këtë zonë në momentin kur ka ndodhur ngjarja, ku autorët kanë qëlluar me snajper nga brenda një furgoni sapo ai ka dalë nga automjeti i blinduar G-Class. Plumbi nuk ka e kapur shënjestrën, por ka përfunduar në një automjet që ndodhej i parkuar, me targa të huaja.
Kujt iu faturua atentati?
Rivalëve të Aleksandër Lahos alias Pëllumb Muharremi, i njohur dhe si Rrumi i Shijakut. Megjithëse i njohur për forcat e rendit si person me precedentë penalë, Akil (Gentjan) Nerjaku, rezulton i arrestuar vetëm njëherë për armëmbajtje pa leje, por njihej si aleat i ngushtë i Rrumit.
Ai është prangosur nga Policia e Durrësit më 3 tetor të vitit 2017 në kuadër të një operacioni në atë kohë për goditjen e elementëve kriminalë.
“Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip ‘Porche’, që drejtohej nga Marjel Fierza, u gjetën dhe sekuestruan, 2 armë zjarri pistoletë tip ‘Beretta’, automjeti që ata udhëtonin dhe 6 telefona celularë”, sqaronte Policia.
Fierza, person me precedent penal, njihet edhe si mik i Lul Berishës. Ai është evidentuar si pjesë e bandës së Durrësit, ndërsa u ka shpëtuar dy atentateve me armë zjarri në 2010 dhe 2012. Ai deklaroi në atë kohë se në momentin që janë prangosur i ishte drejtuar komisariatit për të dorëzuar armën të cilën e kishte gjetur në një depozitë uji.
“Pistoletën e gjeta te depozitat e ujit ku po pija kafe me Gentianin. Isha drejtuar për në komisariat për ta dorëzuar atë”, kishte deklaruar ai para Gjykatës.
Ndërsa Nerjaku deklaronte se armën që posedonte e kishte me leje. Pas verifikimeve rezultoi që arma e zjarrit e tipit pistoletë ishte me leje, por duhej të mbahej në ambientet e banesës së Nerjakut dhe jo jashtë saj. Në atë kohë, Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Nerjakun.(voxnews)