E quajnë pastruese, por nga pasuria është një bose me pasuri gati sa një oligark. Ajo mund të jetë pastruesja më e pasur në Evropë.
Janë zbardhur detaje të reja nga hetimi për pastruesen Rozeta Dobi, e cila së bashku me të birin kanë grabitur qindra mijë euro, ku ajo punonte si pastruese në banesat e VIP-ave.
Në banesën e tyre, shërbimet e policisë kanë gjetur 524.800 euro, 8500 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj si dhe aksesorë floriri, ndërsa u sekuestruan edhe dy makina që dyshohet se janë blerë me paratë e grabitura.
Deri tani dihet se rreth 120 mijë euro, nga paratë e grabitura i përkisnin Alda Klosit alias Çiko, e cila ka qenë Drejtore Kabineti pranë ish-ministrit të Rindërtimit dhe ish-Zv/kryeministrit të vendit, Arben Ahmetaj.
Por, përveç shumave monetare dhe sendeve të përmenduar më lart, burime bëjnë me dije se Rozeta Dobi rezulton të ketë dhe disa llogari bankare me shuma të konsiderueshme parash.
Ende nuk dihen shifrat fikse, por pritet të publikohen së shpejti të dhënat e llogarive që i janë gjetur Rozeta Dobit nga hetimet.
Nga ana tjetër, Rozeta ka edhe disa pasuri të palujtshme, të cilat besohet se i ka krijuar me paratë që u ka vjedhur zyrtarëve të korruptuar, të cilët kanë frikë ta denoncojnë.
Nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi dolën sot para gjykatës për të cilët u vendos për të dy masa e sigurisë “arrest me burg”. Ata kanë pranuar krimin, teksa Rozeta Dobi dëshhmoi se banesën e zyrtares Alda Klosi e ka grabitur, pasi e kishte inat.