Lista e krimeve / Kapet i rrezikshmi Fatbardh Doda, akuzohet se zhduku Tauland Malshin, plagosi në hotel të dashurën Edis Koroveshin, drogë dhe grabitje

Krim & Korrupsion

Publikuar: 02/01/2023

Lista e krimeve / Kapet i rrezikshmi Fatbardh Doda, akuzohet se zhduku Tauland Malshin, plagosi në hotel të dashurën Edis Koroveshin, drogë dhe grabitje

Një shqiptar i rrezikshëm ndodhet në burgjet spanjolle prej muajit gusht. Bëhet fjalë për Fatbardh Dervishin alias Fatbardh Doda, i cili ka mbetur i plagosur në tentativën e arrestimit.

Lajmi është raportuar së fundmi nga mediat spanjolle dhe Fatbardh Dervishi ishte në kërkim dhe nga autoritetet shqiptare.

Ai është arrestuar nën akuzën e vjedhjes së automjeteve, falsifikim dokumentesh, armëmbajtje pa leje, trafik droge, grup kriminal.

Shqiptari u kap së bashku me anëtarët e tjerë të grupit që kryesohej prej tij.

Sipas mediave të huaja, Fatbardh Dervishi/Doda konsiderohej nga policia spanjolle si  “rrëshqitës” pasi ndryshonte vazhdimisht pamjen e tij për të shmangur zbulimin dhe që qarkullonte me identitete të ndryshme false.

Grupi i kryesuar nga Fatbardh Dervishi/Doda, maskohej me uniformë policie dhe kryente gjithashtu grabitje të shtëpive që shërbenin si magazina droge.

Por veç këtyre, Dervishi akuzohet në Shqipëri se në 3 janar të një viti më parë, plagosi me armë në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës 23 vjeçaren E. Koroveshi e prej atëherë rezulton person i shpallur në kërkim.

Ndërkohë disa ditë më vonë, në emisionin “Në Shënjestër”, Dervishi u akuzua nga Liza Malshi, nëna e të zhdukuri në vitin 2018 në Spanjë Tauland Malshi, se kishte gisht në zhdukjen e këtij të fundit.

Nëna e të riut tregoi se ishte telefonuar nga shoku i tij Edmir Vlashi i cili i kishte thënë se më 25 gusht 2018, ishte telefonuar nga Fatbardh Doda dhe se Fatbardhi i kishte thënë Edmirit: ‘Mos e kërko më shokun tënd pasi unë kam kry punë me të dhe e kam hedhur në mes të detit në Malaga’.

Plagosja e të dashurës

32-vjeçari Fatbardh Dervishi, alias Doda, u shpall në kërkim nga policia pasi plagoso me armë zjarri të dashurën e tij, Edis Koroveshin, në 4 janar 2022.

Doda, i sapo kthyer nga Spanja, ka qëlluar me armë të dashurën e tij në shpatull e më pas është larguar me mjetin fuoristradë tip “Mercedez Benz GLE”, ngjyrë kafe.

Ngjarja ndodhi në ambientet e brendshme të hotelit ‘Delta’ pranë autostradës Tiranë-Durrës.

Çifti, mbërriti në orët e para të mëngjesit në hotel për të kaluar kohë së bashku.

Policia raporton se plagosja me armë zjarri ndodhi në orën 09:20.

Kanë qenë punonjësit e hotelit, të cilët kanë gjetur të vetme në dhomë vajzën e plagosur. Ata njoftuan policinë dhe kjo e fundit lajmëroi ambulancën për të transportuar të renë në spital.

Në dëshminë e dhënë nga Koroveshi, të rinjtë shkuan në hotel për të festuar Vitin e Ri 2022.

Sipas 23-vjeçares, plagosja ka ndodhur pa dashje nga i dashuri me të cilin ishte në hotel.

Sipas saj, Doda ka qenë i dehur dhe arma i është shkrepur pa dashje.

Largimi nga vendi i ngjarjes është një rrethanë që e rëndon më tej pozitën e autorit të dyshuar për plagosje, ndërsa për policinë rrethanat e krimit janë ende të paqarta.