Kulturë

“Kurvat” e Teatrit Kombëtar

Nga Donjeta Abazi

Mbrëmë, në hapësirat e improvizuara të Teatrit Kombëtar, u dha premiera e shfaqjes ‘Gratë’, ose mëkatet e tyre në patriarkat, me regji të Nastazia Domaradzka, tekst të Agnesa Mehanolli, Brikena Sopi, Ulpiana Maloku dhe konsulente dramaturgjike Doruntina Basha.

Kujdes: mos e kërkoni nocionin në Fjalorin e Gjuhës Shqipe.

Në shoqërinë tonë, nocioni “kurvë” përdoret për gratë që bëjnë revolucion. Gratë që thyejnë tabu, që nuk bien pre e patriarkatit dhe nuk i nënshtrohen skllavërimit, duke dalë para të gjithëve fuqishëm me idetë e tyre, konsiderohen “kurva”.

Pra, në njëfarë mënyre, edhe aktoret e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me paraqitjen e tyre mbresëlënëse, ishin “kurva”.

Gjashtë aktoret e Teatrit Kombëtar të Kosovës i sollën publikut tonë shfagjen për ato, shfaqjen për ne, shfaqjen për burrat e vendit tonë (lexo: të bëmat e tyre).

Edona Reshitaj, Gresa Pallaska, Lumnije Sopi, Sheqerie Buqaj, Shengyl Ismaili dhe Xheilane Godanci ishin të arsyeshme në ndjenjen e përçimit të mesazhit, sepse të qenit grua në Kosovë është pak më larg se një rol në teatër dhe vërehej që secila prej tyre e dinte këtë.

Pos zhurmës, gjesteve, fjalëve të shkruara në mure, tundimit, djersëve, duartrokitjeve, thirrjeve, shqiptimit të emrave të grave të vrara së fundmi në Kosovë, aktoret kaluan kufirin e teatrit dhe ndanë nga një pjesë të tyren në dërrasat e amfiteatrit.

Krejt gratë e teatrit janë unë

Çfarëdo që thuhet, si do që jetohet, në secilën mënyrë që vishen, gratë janë gabim. Kjo është arsyeja pse bërtasin. Kjo është arsyeja pse gratë e Teatrit bërtitën mbrëmë. Ato folën shumë. Shfaqja pati plot e plot monologe, pati plot replika brenda vetes, pati edhe pyetje e as pergjigjet nuk munguan.

Përgjigjet e grave ndaj atyre që u ndodhin grave dihen, ajo që nuk dihet ende dhe ka mbetur kuti e Pandorës është arsyeja pse nuk jetësohen, pse nuk merren të mirëqena këto përgjigje. Edhe kjo është një arsye pse gratë bërtasin.

Edona Reshitaj ishte një grua e vrarë, Gresa Pallaska ishte një grua që u dhunua, Lumnije Sopi ishte një vajzë të cilës ia ndalën shkollimin, Sheqeria Buqaj ishte një grua që e ngacmojnë në rrugë, Shengyl Ismaili ishte një grua që është lodhur duke qenë e fortë, Xheilane Godanci ishte një grua që e akuzojnë për ngritjen në pozitë duke e personifikuar si kurvë (ndërlidhja e cilës me cilën ndodhi nuk është e rëndësishme, mesazhi ishte unanim).

Të gjitha këto aktore personifikojnë gratë e Kosovës. Të githa këto aktore e gërshetojnë në shfaqje dhimbjen, revoltën, forcën, dorëzimin, dashurinë, të bukurën dhe lodhjën në fund. Krejt aktorët e teatrit janë unë.

Një sy mbi narrativën

Pastaj s’mbeti askush. Njëra prej tyre ankohet se diçka i ka ndodhur, gjë për të cilën askush nuk e di. Njëra ankohet se dikush i tha prostitutë kur ia pa çizmet (brenda tyre këmbët). Njëra prej tyre ankohet së dikujt ja ndalën shkollimin, duke i thënë që ‘na këna vendos që ti mos me shku në shkollë’. Njëra duhet ta fillojë gjithmonë shfaqjen e cila nuk fillon kurrë, sepse ajo nuk ishte diçka e shkëputur në kohë e hapësirë; ajo e mbrëmshmja ishte diçka që e jetojmë çdo ditë

Kopshti i bukur i thurur nga secila prej tyre do të shndërrohet në fund në varrin e secilës prej tyre, sepse e bukura në të bukurën ka shkëlqimin e vet që vret.

Seksualiteti, morali, patriarkati, gjinia, emrat e grave që u vranë, e plotë tjera u shkruan mbrëmë në muret e amfiteatrit. Statistika dhemb veç njëherë kur lexohet, emri vret veç një herë kur shqiptohet, ama shpirti, krijimi, ideja, dhembshuria, dashuria vrasin përditë në çdo moment të dtiës.

Fundja ky është dallimi. Statistikat e grave të vrara në Kosovë para se me qenë numra janë shpirt, ide, ekzistence. Secila prej tyre e mori me vete një ide ditën që u vra, secila prej tyre e mori me vete një dëshirë ditën që u vra, secila prej tyre mori me vete një të pathënë që s’u tha kurrë.

Teksti preku emocionin, mesazhin e dërgoi tek publiku, njëjtë si do të duhej të ishte.

Skenografia e kostumografia ishin pikërisht çfarë nevojitej aty.

Potenciali i aktoreve gra mbrëmë as që u vu në diskutim as edhe për një moment. Ato shkrinë çka iu ofrua përpara. Shfaqja u kthye paksa në protestë, në diçka që e shohim datave të caktuara në sheshin ‘Skenderbeu’ në Prishtinë.

Djersë teatri 

Një perulje për të gjitha aktorët që dolën jashtë asaj që iu kërkua. Secila prej tyre i dhanë një shkëlqim tjetër shfaqjes me djerset e tyre. Frustrimi i tyre që origjinal e origjinali u kthye në emocion, e emocioni pastaj në art teatror.

Secila prej tyre mishëroi veten me publikun, kaloi përtej mureve hibride që vendosen mes skenes e publikut, duke shndërruar nje atmosfere homogjene realiteti.

‘Gratë’- ose mëkatet e tyre në patriarkat, ishte një premierë e suksesshme që i dha nje tjetër drithërimë teatrit mbrëme, duke krijuar rrjedhimisht një paralele emocionale mes aktoreve të teatrit dhe vetë realitetit të dhimbshëm në vendin tonë.

Postet e fundit

Stoltenberg: Rusia të mos kërkojë konflikte dhe t’i japë fund luftës! Do mbrojmë çdo territor të NATO-s

A ndjehesh i vlerësuar nga ky vend? Zef Deda nuk përmban lotët, kujton kohët e vjetra: Nga ëndrra për imitim të legjendarit Charli Chaplin te ‘Kunati i shokut Xhemal’

prapaskena

Ministrja e Kulturës Eva Margariti mban sekret kontratën për Butrintin: Po ta nxjerrë, do keqkuptohet nga deputetët

prapaskena