Kur je ministër e më pas zëvendës-kryeministër siç ishte Arben Ahmetaj, prokurorët e SPAK nuk bëjnë as veprimin minimal e jo më ta dërgonin në qeli.
As e kanë pyetur, as e kanë ndjekur dhe as kanë dëgjuar personat e bashkëlidhur në fashikull mbi rëndësinë e firmave që Arben Ahmetaj, ka vendosur për inceneratorin e Elbasanit.
Gazetari Adriatik Doçi me anë të një postimi në ‘Facebook’, shkruan se prokurorët e SPAK, Ened Nakuci dhe Klodian Braho panë në kompjuterin e Zotos pagesat për fjetje në hotele për drejtoreshën e Gjiknurit, çuditërisht jo për Ahmetajn.
Doçi shkruan se hetimet duhet të nisin nga ‘peshku i madh‘ Arben Ahmetaj, pronari real i inceneratorëve dhe dy prokurorët që fshehën provat, duke devijuar hetimet drejt personave me role periferike. Gazetari ka ngritur dhe disa pyetje, ku flet pse nuk hetohet për vilën e Arben Ahmetaj në Hamallaj?
Postimi i gazetarit, Adriatik Doçi:
Prokurorët panë në kompjuterin e Zotos pagesat për fjetje në hotele për drejtoreshën e Gjiknurit, çuditërisht jo për Ahmetajn
Nga dosja prej 30 mijë faqesh e SPAK-ut për inceneratorin e Elbasanit, rezulton se hetuesit kanë parë me lupë pagesat që ka bërë Klodian Zoto për akomodimin në hotele me 5 yje të Etleva Kondit, ish drejtoreshë e Damian Gjiknurit për PPP-të në Ministrinë e Energjitikës dhe anëtare e Komisiomit të Vlersimit të Ofertave për inceneratorët.
Pagesat korruptive janë zbuluar nga rikuperimi i të dhënave në kompjuterat e Klodian Zotos, pronar i kompanisë koncensionare të inceneratorëve. Zonja Kondi ishte caktuar nga Zoto dhe Gjiknuri për të bërë letrat e koncensionit para se të ‘fitohej’ nga Zoto. Duke qenë në rolin e ‘cironkës’ në këtë histori, syrit të hetuesve nuk u kanë shpëtuar pagesat e Zotos për llogari të zonjës Kondi.
Por, çuditërisht, hetuesit, dhe këtu përfshihen edhe dy prokurorët e SPAK-ut, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi, ‘nuk kanë parë’ pagesat e Klodian Zotos për akomodimin e Arben Ahmetajt në hotelet me 5 yje të Evropës.
E-mailet për pagesat kanë qenë në të njëjtin kompjuter, por syri i hetuesve ka kapur ‘cironkën’, por jo ‘peshkun’ e madh.
Nëse në Shqipëri ekziston shteti ligjor dhe barazia para ligjit, hetimet për inceneratorët duhet të përmbysen nga Gjykata e Posaçme dhe të kthehen në pikën zero.
Hetimet duhet të nisin nga ‘peshku i madh’ Arben Ahmetaj, pronari real i inceneratorëve dhe dy prokurorët që fshehën provat, duke devijuar hetimet drejt personave me role periferike.
Mirë pagesat e Zotos ndaj Ahmetajt që janë mbuluar qëllimisht, po raportet prej dy dekadash të Zotos me Ahmetajn dhe Gjiknurin, pse nuk hetohen?
Po vilën që Zoto i ka dhuruar Ahmetaj në Hamallaj, përmes një manovre banale, pse nuk hetohet?
A po presin që të nxjerrim ne edhe letrat se si Ahmetaj u bë pronar i vilës, përmes një kontrate qiraje fiktive që gjithsesi nuk e ka deklaruar në ILDKPKI?!
Kujtojmë se në provat e depozituara nga gazetari Adriatik Doçi rezulton se për ish ministrin e Financavem Arben Ahmetajn dhe bashkëshorten, biznesmeni në kërkim Klodian Zoto rezervon me e-mail në hotele si ai në Vjenë “Starlight Suiten Hotel Renngasse”, një hotel ky që konfirmon pagesën e Klodian Zotos në vitin 2013 për qëndrimin e Arben Ahmetajt që përkon me kohën e nisjes së bisedimeve për inceneratorët.
Rezervimi tjetër është ai në Hotel Principe di Savoia, në Milano, ku Zoto rezervon një dhomë Ambasador Suit për shtetasin Mirel Mërtiri, por në fakt i ftuar ka qenë ish-ministri Arben Ahmetaj.
Për këtë rezervim, në një nga hotelet më të mira të Milanos, Zoto ka paguar për Ahmetajn 1600 euro për 2 net qëndrimi. Dhe rezervimi i tretë është ai i 2016-ës në “Mandarine Oriental Hotel”, sërish në Milano, por kësaj here për gruan e Arben Ahmetajt.


