Ish-komandanti i UÇK, Salih Mustafa dënohet me 26 vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve

Rajon

Publikuar: 16/12/2022

Ish-komandanti i UÇK, Salih Mustafa dënohet me 26 vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve

Salih Mustafa, është denuar për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve në Kosovë. Ky është aktivendimi i parë i Gjykatës Speciale lidhur me akuzat për krime lufte në Kosovë.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, u dënua nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torture ndaj shqiptarëve. Salih Mustafa u shpall fajtor për krime lufte në kompleksin në Zllash në vitin 1999.

Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim me 10 vjet burgim për krimin e ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, tha se “trupi gjykues ka marrë për bazë dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pasi kanë qenë të besueshme, u konfirmuan nga prova të tjera dhe se ishin të qarta dhe koherente, përshkrimet ishin të gjalla dhe të rrëfyera me emocion”.

Kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës.

Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se viktimat që kanë marrë pjesë në procesin gjyqësor kundër Mustafës janë të frikësuar për veten dhe familjarët e tyre, dhe ende janë të traumatizuar për gjërat që kanë përjetuar.

Në përmbledhje të aktgjykimit, Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.

Dëshmitë kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.

Mustafa është arrestuar dhe është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020. Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021. Në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë, 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.

Ish pjesëtari i UÇK-së akuzohej për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Të gjitha këto dyshohet se janë kryer në Zllash gjatë vitit 1999, në ndërtesën e ndalimit. Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, sipas aktakuzës ka qenë komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor për krime lufte që ka nisur në Gjykatën Speciale.

Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto krime dyshohet se janë bërë kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000. Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Vendimi i parë i Gjykatës Speciale për krime

Vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale, njëherësh është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë. Në Gjykatën e Speciale në Hagë tash e dy vjet po mbahen të akuzuar për krime lufte, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala. Sipas prokurorisë së Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, dhe Shala, dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit – burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer ndërmjet  marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999. Që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Së shpejti fillon gjykimi edhe për të akuzuarit e tjerë

Kryetarja e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, gjatë një vizite muaj më parë në Kosovë, pati thënë se në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm, pret të nisë gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 deri në dhjetor 2000. Ligji për themelimin e Gjykatës  Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës, funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës.