Një arsenal armësh është kapur pasditen e kësaj të enjteje në Portin e Durrësit dhe policia kufitare ka arrestuar një person.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Snajperi”, në pranga është vënë 53-vjeçari nga Kosova Seljman Lajci, banues në Zvicër.
Ai jeton prej vitesh në Zvicër dhe mësohet se po udhëtonte me traget nga Italia në Shqipëri dhe më pas do shkonte drejt Kosovës.
“Shërbimet e Policisë kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë në hyrje të Republikës së Shqipërisë, 53 vjeçarin së bashku me automjetin e tij tip “Land Rover” dhe gjatë kontrollit, Policia gjeti të fshehura, në brendësi të makinës një armë zjarri pistoletë, një snajper, një armë gjahu, 1367 copë fishekë luftarak dhe 800 copë fishekë për armë gjahu, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.” thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.