Janë zbardhur detaje të tjera lidhur me dosjen hetimore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë lidhur me sulmet kibernetike iraniane ndaj Shqipërisë. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkoi sot masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, për 5 punonjës në sektorin e IT-së (teknologjisë së informacionit), në Departamentin e Administratës Publike.
Megjithatë kërkesa e prokurorisë nuk është marrë parasysh nga Gjykata e Shkallës së Parë, pasi ata kanë vendosur një masë me të butë për 5 punonjësit përgjegjës për të dhënat e shqiptarëve. Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur si masë sigurie “Detyrim Paraqitje”, për 5 punonjësit e teknologjisë së Informacionit pranë DAP.
Prokuroria këto urdhër ndalimi i ka lëshuar në kuadër të hetimeve për sulmet kibernetike të kryera nga Irani ndaj portaleve shtetërore të shërbimeve online. Konkretisht punonjësit e IT-së, Alketa Sulo, Altin Sallaku, Rudina Llagami, Igli Lubonja, Albi Gjeka, kanë shpërdoruar detyrën, pasi duhet të kërkonin raportim nga operatori ekonomik që ishte përgjegjës për situatën e sigurisë në faqen e administrata.al edhe për antiviruset që përdoreshin për mbrojtjen e kësaj faqeje.
Sulmi Kibernetik ndaj Shqipërisë, sipas Prokurorisë, kishte si qëllim të vetëm aktin kriminal për shkatërrimin e të gjithë sistemeve dhe të dhënave duke kthyer Shqipërinë dekada pas në një terr teknologjik me zero digjitalizim.
Mes të tjerash prokuroria shprehet se partnerët e Shqipërisë , si Microsoft, FBI, dhe CISA kanë ofruar suport dhe kanë bashkëpunuar me ekipet shqiptare me praninë e tyre fizike në agjencinë pas sulmit në datën 15-16 korrik 2022. Paralelisht të gjithë gjetjet dhe indikatorët e këtij sulmi konstatohet se agresioni kibernetik është një sulm shtetëror nga qeveria Iraniane. Kryesisht Ministria e Inteligjencës dhe Garda Revolucionare Islamike Iraniane.
Është përdorur teknologjia, “Proxy” për mbulimin e prejardhjes së komunikimit. Nga komunikimet e shkëputura përkohësisht kanë dalë qartë që mbrapa këtij sulmi fshiheshin IP iraniane. Për marrjen e të dhënave nga infrastruktura është përdorur një “Cyper tool” i krijuar nga Ministria e Inteligjencës Iraniane për të hackuar “email”.
Irani është i vetmi vend në botë që fushën kibernetike e ka në nivele ministrie, pikërisht për të treguar rëndësinë që ka për ta ky aktivitet. I njëjti hakerim është përdorur edhe për sulme ndaj Emirateve të Bashkuara, Arabisë Saudite, Kuëaiti, Joradanisë, Izraelit, Qipros.
Po ashtu është përdorur metoda Zeroclear, e cila gjithashtu është e lidhur me Ministrinë e Inteligjencës Iraniane (MOIS) ku burimi i licencave është ndarë mes aktorëve të ndryshëm iraniane.
Personat e akuzuar janë:
Alketa Sulo – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;
Altin Sallaku– Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;
Rudina Llagami – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;
Igli Lubonja – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe
Albi Gjeka – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike.
Kujtojmë se në korrik të këtij viti, shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht për shkak të sulmit kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga Irani. Pas sulmit kibernetik të faqeve zyrtare online, hakerët sulmuan më pas sistemin TIMS, duke sjellë kaos prej javësh në pikat kufitare të vendit.
Pasi sulmuan sistemin TIMS në Shqipëri, hakerat iranianë publikuan një video në faqen ‘Homeland Justice’ në pikën kufitare të Rinasit, në momentin që policët zbuluan se kishin rënë pre e një sulmi. Pas sistemit TIMS, grupi kriminal iranian publikoi të dhëna sensitive nga sistemi MEMEX, i cili përmban listën e personave të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale.
Më vonë, e-maile dhe të dhënat e ish-Drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano u publikuan sërish nga hakerët iranianë të “Homeland Justice”.
Pas Nanos, dolën të dhënat e drejtorit aktual të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe dy pasaportat e kryeministrit Edi Rama, një diplomatike dhe një e zakonshme si dhe udhëtimet e tij që prej vitit 2004 deri në maj të vitit 2022. Hakerët para pak ditësh publikuan patentat me të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë të pajisur me leje drejtimi.