Një mal me krime, vrasjet për të cilat akuzohet Eljo Bitri që u arrestua sot, atentate, tritol dhe grabitje

Krim & Korrupsion

Publikuar: 30/11/2022

Një mal me krime, vrasjet për të cilat akuzohet Eljo Bitri që u arrestua sot, atentate, tritol dhe grabitje

Arratia për 35-vjeçarin Eljo (Ervis) Bitri nga Gostima e Elbasanit, ka marrë fund, pasi ai është prangosur në qytetin Leiden të Holandës.

Mësohet se ai qarkullonte me armë zjarri me silenciator dhe përdorte dokument me identitet tjetër me emrin Bledar Debrova.

Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” pas dëshmive të Nuredin Dumanit dhe akuzohet për implikimin në vepra të rënda penale si vrasje, vjedhje me dhunë, shkatërrim i pronës me ekskloziv, teksa ishte shpallur në kërkim dhe nga Belgjika për vrasje.

Por, kush është Eljo (Ervis) Bitri dhe për cilat ngjarje kriminale akuzohet ai?

Ai është vëllai i Lulzim Bitrit, që mbeti i vrarë në Tetor të vitit 2021 së bashku me Ardjan Çollakun në Elbasan.

Eljo Bitrit dyshohet se ka patur rolin e vëzhguesit në vrasjen e Endrit Alibejt, i njohur me nofkën “tarzani”, dajës së tij, Arben Dylgjeri, dhe shtetasit turk, ngjarje kjo e ndodhur në Bradashesh vitin 2018.

Po ashtu, Eljo Bitrit, akuzohet si i përfshirë edhe në vrasjet e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt në Durrës, si dhe Emiljano Ramazanit në Elbasan.

Bitri njihej ndryshe dhe si “mjeshtri” i tritolit dhe ngjarja më e bujshme për të cilën akuzohet është ajo e 2.8 kg lënde plasëse në vilën dy katëshe të Talo Çelës më 5 nëntor të vitit 2020.

Nga shpërthimi, nuk u arrit të shkatërrohej totalisht e gjithë banesa, por u dëmtua vetëm kati i parë.

E gjithë tentativa për t’i hedhur banesën në erë Talo Çelës, erdhi pasi ky i fundit tentoi të vriste Florenc Çapjen, plan i cili mbeti në tentativë.

Po ashtu, Eljo Bitri dyshohet dhe se siguroi mjete për të vrare Sokol Sanxhaktarin, ashtu si edhe i kërkuari tjetër Florenc Çapja që bëri të njëjtin plan, por nuk e realizoi dot.

Akuzat e ngritura zyrtarisht nga SPAK:

1.“Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasit Mustafa Subashi (ngjarje e ndodhur në Durrës në datën 29.01.2020) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 152 dhe 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

2.“Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, në dëm të viktimave Dorjan Shkoza e Anxhelo Avdia (ngjarje e ndodhur në datën 02.03.2020) të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit)  dhe “Kryerja e veprave penale nga  grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet  79/dh, 278/1, 28/4, 333/a/2 dhe  334  të Kodit Penal;

3.“Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 78/2, 278/1, 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal (vrasja në dëm të viktimës Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjje “28 Nëntori”, Elbasan).

4. Shkatërrim i pronës me eksploziv” ndaj banesës së shtetasit Talo Çela (ngjarje e ndodhur në datën 05.11.2020) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 152 dhe 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

5.“Dhuna në familje” në dëm të shtetases Blerta Bengasi (Ruçi), kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 130/a/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

6.“Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Hamdi Sharka (ndodhur në fshatin Polizhan – Berat), kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 139, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

7.“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/2, 334 të Kodit Penal.