Është arrestuar në Holandë 35-vjeçari nga Elbasani Eljo (Ervis) Bitri alias Bledar Debrova, i cili ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pas dëshmive tronditëse të të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Lajmi është konfirmuar nga Policia e Shtetit, e cila njofton se ai është prangosur në kuadër të operacionit “Leiden”, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me policinë Holandeze.
Mësohet se ai qarkullonte me armë zjarri me silenciator dhe përdorte dokument me identitet tjetër me emrin Bledar Debrova, por është verifikuar nga shenja e gishtrinjëve dhe pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.
Po ashtu, Eljo Bitri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Belgjika, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, më datë 31.05.2022, ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër arrestin për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”.
Eljo Bitri akuzohet për implikimin në vepra të rënda penale si vrasje, vjedhje me dhunë, shkatërrim i pronës me eksploziv.
Nuredin Dumani ka rrëfyer për të shumë ngjarje, ku një prej tyre është vendosja e 2.8 kg tritoli në vilën dy katëshe të Talo Çelës më 5 nëntor të vitit 2020. Lënda plasëse nuk shpërtheu, e cila mund ta rrëzonte vilën 2-katëshe dhe dyshohet se ka ardhur pasi, Talo Çela ka tentuar të vrasë Florenc Çapjan.
Eljo është gjithashtu vëllai i Lulzim Bitrit, i skeduar për vrasje në Maqedoninë e Veriut dhe i dyshuar për vrasje në Elbasan, që mbeti i vdekur në tetor të 2021 si pasoje e një atentati në Elbasan.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale, finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, që janë në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet në Holandë, operacioni policor i koduar “Leiden”, i zhvilluar nga Policia holandeze, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Qarkullonte me armë zjarri me silenciator dhe përdorte dokument me identitet tjetër, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari nga Elbasani.
35-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit “Golden bullet”, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Në vijim të punës hetimore të kryer nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, për lokalizimin dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, që janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale, me homologët holandezë, në kuadër të operacionit “Leiden”, u kap nga Policia holandeze shtetasi:
Eljo (Ervis) Bitri alias Bledar Debrova, 35 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit “Golden bullet”.
Ky shtetas u kap në Leiden, Holandë, duke qarkulluar me armë zjarri pistoletë me silenciator dhe me dokument me identitet tjetër.
Pas veprimeve verifikuese nëpërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Hagë, Holandë, pas krahasimit të gjurmëve të gishtave, u bë arrestimi provizor i tij, me qëllim ekstradimi.
Gjithashtu, shtetasi Eljo (Ervis) Bitri alias Bledar Debrova, 35 vjeç, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Belgjika, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, më datë 31.05.2022, ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër arrestin për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga Kodi Penal i Belgjikës (maksimumi i dënimit burgim i përjetshëm).
Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët, me qëllim kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për të luftuar krimin e organizuar.
Policia e Shtetit falënderon homologët holandezë, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e informacioneve në kohë reale, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.