Fjalimi i kryeministrit Edi Rama ka përmbyllur mbledhjen e përbashkët mes dy kuvendeve Shqipëri-Kosovë, të mbajtur në Tiranë me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë.
Rama deklaroi se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë se sot në raport me të huajt, duke mos lënë pa përmendur dhe shqiptarët e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Sa i përket marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, kryeministri shqiptar deklaroi se ato nuk janë vetëm të shkëlqyera, por dhe produktive.
Rama deklaroi se janë dy emra që i mungojnë sallës së Kuvendit të Shqipërisë në këtë ditë të veçantë, Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi.
Ja ku jemi bashkë, si asnjëherë më parë. Dua të them dicka që nuk kam pasur rastin ta them, sot nuk mund të lihet pa kujtuar se historia jetësore e atyre 40 firmëtarëve të pavarësisë përshkohet në funde tragjike. Dhe trajtimi i tyre i mëvonshëm, para dhe pas rënies së komunizimit është i kufizuar sporadikisht.
Më lejoni të ndaj me ju bindjen se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë se sot në raport me të huajt. Por përsëri edhe sot nuk besoj se shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten. Unë besoj se edhe njohja përfundimtare e Kosovës do vijë më herët dhe se Kosova nuk do presë aq sa ka pritur pavarësinë për t’u njohur ndërkombëtarisht. Nga ana tjetër akoma më e prekshme dhe më mbresëlënëse është pamja në Maqedoninë e Veriut. Shumë më vonë pas lirisë së Kosovës, ishte vendi ku gjuha shqipe vazhdonte të shihej si gjuha e një pale të padëshirueshme, vendi ku flamuri shqiptar vazhdonte të shihej si një provokim. Sot nuk besoj se janë të shumtë ata që mund të thonë ata që e dinin se në 110 vjetorin e pavarësisë, Maqedonia e Veriut do kishte shqipen gjuhë zyrtare dhe kryeparlamentarin shqiptar. Po ashtu nuk besoj se e ka menduar dikush më parë se Mali i Zi mund të kishte një kryeministër shqiptar siç e ka sot. Të drejtat e shqiptarëve janë shumë herë më të avancuara se ka qenë ndonjëherë.
Marrëdhëniet nuk janë thjesht të shkëlqyera por dhe produktive, më shumë seç kanë qënë ndonjëherë tjetër. Këtë e tregojnë faktet dhe vullneti e rritja e aftësisë për ta zbatuar në praktikë bashkëpunimin në interes reciprok. Apo lirinë e lëvizjes që deri dje dukej mision i pamundur. Apo punën e përbashkët për fjalorin enciklopedik. Apo punën e nisur për të bërë në realitet atë që është vepra më e madhe e të ardhmes, Portin dhe Hekurudhën. Për hekurudhën kemi tanimë ofertuesit, kompanitë më të mëdha të europës, që kanë ofertuar për të marrë përsipër projektin e dy qeverive, me vendim të përbashkët. Në fillim të vitit të ardhshëm, ne fillojmë dhe hapim garën për Portin e ri të Durrësit, që do ndërtohet në Porto Romano, nëse cdo gjë shkon sipas planit, në fillimin e 6 mujorit te dytë të vitit të ardhshëm ne do jemi në kantier, do jetë port i përbashkët, i shtrirë në Prishtinë e në Strugë.
Për hekurudhë tjetër jemi në diskutime në bashkëpunim me Qeverinë e Maqedoninë e Veriut.Shpresoj të na bashkohen në projektin përfundimtar, pasi kemi parashtruar konceptin. Dua të rikthehem te ata që e nisa, te ata që i hapën rrugë atyre që na dhanë mundësi, disa i shfrytëzuam, disa i huqëm. Sot është ditë e mirë, e bukur, frymëzuese për këtë pamje që na ka mbledhur të gjithë bashkë, pavarësisht nëse do donim e jo.
Dy emra do të sjell këtu në vëmendje pa të cilët nuk mund të kuptohet as ardhja në këtë ditë, as vazhdimësia pas kësaj dite, LDK dhe UÇK. Të dyja këto lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot pasi u nda nga jeta para kohe, por me mision të kryer dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar i madh në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht me një mision që vazhdon” deklaroi Rama.