Plagosja e kryebashkiakut të Divjakës: Çfarë i premtoi Fredi Kokoneshi 46-vjeçarit që e pushoi nga puna? Babai i autorit: Do kërkojmë falje!

Aktualitet

Publikuar: 15/11/2022

Plagosja e kryebashkiakut të Divjakës: Çfarë i premtoi Fredi Kokoneshi 46-vjeçarit që e pushoi nga puna? Babai i autorit: Do kërkojmë falje!

Tri ditë pas plagosjes me thikë, kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, ka sqaruar para hetuesve se si ndodhi ngjarja në hyrje të institucionit që drejton prej vitit 2019.

Ndërsa ndodhet i shtruar pranë Spitalit të Traumës në kryeqytet, Kokoneshi ka deklaruar se pushimi nga puna i autorit të dyshuar të ngjarjes, Orgest Xhelili është bërë shkak për konfliktet e vazhdueshme midis tyre.

Si Kokoneshi ashtu edhe shoferi i tij kanë deklaruar se gjithçka ka ndodhur në momentin kur kryebashkiaku po shkonte si zakonisht për në zyrën e tij në institucionin e Bashkisë.

Në këto momente, Xhelili i ka dalë përpara kreut të Bashkisë, duke e sharë dhe ofenduar për largimin nga puna. Pas këtij momenti, ai e ka qëlluar me thikë.

Ka qenë ndërhyrja e shoferit që ka bërë të mundur që Kokoneshi t’i shpëtonte goditjeve të tjera me thikë. Si Kokoneshi ashtu edhe shoferi i tij, Gazmend Bullari ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Bullari ndodhet në reanimacionin e Spitalit të Lushnjës dhe mësohet se e ka kaluar gjendjen e rrezikut, ndërsa mbeti i plagosur më rëndë nga goditjet me thikë.

SI NISI KONFLIKTI

Ndërsa në zonën e Divjakës inxhinierët e IT-së thuajse mungojnë, prej 1 viti e gjysmë sipas burimeve, kryebashkiaku kishte shkarkuar nga detyra 46-vjeçarin. Kjo kishte bërë që midis tij dhe Kokoneshit të kishte konflikte të vazhdueshme, derisa ka kulmuar mëngjesin e së premtes me plagosje me thikë të drejtuesit të institucionit vendor. Gjatë gjithë kësaj kohe, ka pasur debate të vazhdueshme midis tyre, ndërsa Kokoneshi mësohet se i kishte premtuar 46-vjeçarit rikthimin në detyrë.

Gjykata e Lushnjës pritet të japë këtë të martë masën e sigurisë ndaj 46-vjeçarit, Orgest Xhelili. Seanca ishte parashikuar për të hënën, por ajo u shty për ditën e sotme për shkak se nuk kishte avokat mbrojtës dhe për të do të caktohet një avokat nga shteti. Mësohet se Xhelili e ka pranuar autorësinë e plagosjes së dyfishtë së kryetarit të Bashkisë dhe shoferit të tij.

DEKLARATA E BABAIT

Abaz Xhelili, babai i Orges Xhelilit tha sot se nuk e dinte se djali i tij kishte probleme deri në këtë pikë.

‘Nuk e dinim të kishte probleme deri në këtë pikë. Ai ka qenë ekselent. Kemi ardhur të kërkojmë të vërtetën. Do kërkojmë falje.’- u shpreh ai.