Njihuni me super policin Roland Mete që shtriu në tokë killerin Ilir Paja, më pas ekzekutoi edhe vrasësin Artur Bazen që deshi të eliminonte Pajtim Serjanin

Kronike

Publikuar: 05/11/2022

Njihuni me super policin Roland Mete që shtriu në tokë killerin Ilir Paja, më pas ekzekutoi edhe vrasësin Artur Bazen që deshi të eliminonte Pajtim Serjanin

Policë të tillë i keni parë vetëm nëpër filma aksion. Ai quhet Roland Mete. Nuk dihet nëse sot është apo jo pjesë e policisë, por Roland Mete ishte njeriu që shtriu në tokë dhe prangosi ‘UFO-n’, Ilir Paja, në 6 mars 2008 në Tiranë.

Ilir Paja, një personazh i njohur për arratisje të bujshme, për përdhunime, trafik droge dhe arratisje, kishte marrë para me makinë kolegun e Roland Metes, Bledi Haxhimalin, duke e plagosur rëndë.

Dorian Muça dhe Roland Mete kanë arritur të neutralizojnë Ilir Pajën. Muça ka qëlluar dy herë me pistoletë duke e plagosur. Me pistoletë ka qëlluar edhe Mete, dukë hapur derën e makinës, nxjerrë Pajën nga makina, shtrirë në tokë dhe prangosur.

7 vite më vonë polici Roland Mete do të ekzekutonte killerin Artur Baze allias Arianit Sterio.

Rreth orës 19:45 të 5 janarit 2015, autori Artur Baze allias Arianit Sterio ka qëlluar me armë ndaj Pajtim Serjanit i cili ndodhej i shoqëruar nga efektivi i policisë Roland Meta, dhe me Denis Ramani, e Ditmir Reçin.

Pas këtij momenti efektivi Roland Meta është vënë në ndjekje të tij duke i  thënë edhe ndal policia.

Gjatë ndjekjes, autori ka qëlluar me armë ndaj efektivit dhe si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur dhe u plagos rëndë polici Roland Meta.

Prokuroria e Krimeve të Rënda pushoi çështjen, me argumentin që Mete kishte vepruar drejt.

Ngjarja

Në datën 6 mars 2008 rreth orës 10:00 punonjësit e policisë Bledi Haxhimali dhe Roland Mete, me detyrë agjent në njësinë e operacioneve speciale në Drejtorinë e Policisë Tiranë kanë qenë me shërbim në vendin përballë maternitetit “Koço Glozheni” Tiranë.

Aty rastësisht agjenti Bledi Haxhimali ka parë një person që po lëvizte me një automjet të markës “Fiat Punto” me targa BC 983 DP, me ngjyrë gri dhe që ngjasonte me shumë me personin në kërkim Ilir Paja.

Menjëherë ka njoftuar eprorin e tij, oficerin e policisë, Dorian Muça, me detyrë shef i seksionit të mbikëqyrjes dhe operacioneve speciale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, nga i cili është udhëzuar të vihet në ndjekje të personit, pasi edhe ai bashkë me shefin e sektorit të operacioneve speciale në atë kohë Arben Caka po vinin drejt vendit për të cilin ishte dhënë informacioni.

Prokuroria deklaron se në vazhdim dy punonjësit e policisë me motorin e tyre të shërbimit të tipit “Skuter” janë vënë në ndjekje të automjetit që po lëvizte personi në kërkim me drejtim nga kryqëzimi i quajtur “Bërryli” drejt tregut industrial përballë rrugës “Bardhyl”.

Gjatë kësaj kohe, komunikimi midis agjentit Bledi Haxhimali dhe oficerit të policisë, Dorian Muça, ka qenë i vazhdueshëm me qëllim përcaktimin dhe koordinimin e saktë të pozicioneve të objektit në ndjekje dhe të secilit prej tyre.

Ata, për vetë natyrën e shërbimit, kanë qenë pa shenja dalluese të policisë dhe gjatë gjithë ndjekjes janë munduar të mos binin në sy nga personi që ndiqnin. Kur automjeti me të cilin udhëtonte i pandehuri Ilir Paja ka mbërritur në kryqëzimin pranë Farmacisë 10, për shkak të trafikut është detyruar të qëndrojë në radhën e parë pranë kryqëzimit, pranë policit të qarkullimit rrugor që disiplinonte trafikun. Në ato momente në korsinë në krah të majtë të mjetit “Fiat Punto”, duke përfituar nga qenia bosh e saj është afruar automjeti “Benz”, brenda të cilit ndodheshin punonjësit e policisë, Dorian Muça dhe Arben Caka. Në atë çast oficeri Dorian Muça, që ishte drejtuesi i mjetit, pasi është siguruar që ishte pikërisht personi në kërkim Ilir paja (pasi fotografia e personit në kërkim Ilir Paja u ishte shpërndarë punonjësve të policisë për shkak të detyrës që ata kryenin) i ka prerë rrugën diagonalisht me automjetin e tij, mjetit “Fiat Punto”, me qëllim për të penguar ikjen e tij përpara. Menjëherë ka zbritur nga mjeti Dorian Muça, ndërsa oficeri Arben Caka ka dalë pak çaste më vonë. Oficeri i policisë, Muça i është drejtuar shtetasit Ilir Paja me fjalët “policia, dorëzohu”.

Në këtë çast pas automjetit, në distancën rreth 1.5 m, në anën e majtë të tij, ndodhej me motorin e shërbimit agjenti Bledi Haxhimali, ndërsa agjenti tjetër, Roland Mete, kishte zbritur për t‘u ardhur në ndihmë kolegëve të tij, duke dalë edhe ai në krah të tij duke thirrur “policia”.

Paja sapo ka parë punonjësit e policisë që i janë drejtuar, menjëherë ka reaguar duke i dhënë makinës në drejtim indietro me shpejtësi. Duke manovruar, ai ka përplasur dhe ka marrë poshtë motorin me gjithë agjentin Bledi Haxhimali.

Në përpjekjet e tij të dhunshme për t‘iu shmangur punonjësve të policisë, mjeti i të pandehurit Ilir Paja ka kapërcyer trafikndarësin e rrugës duke marrë zvarrë motorin dhe agjentin njëkohësisht.

Në këto kushte, oficeri Dorian Muça, dhe kur ka parë që i pandehuri Ilir Paja kishte drejtuar armën në drejtim të tij, ka qëlluar dy herë me armë në drejtim të mjetit ku ndodhej ai, ku si pasojë e ka plagosur me një plumb.

Mjeti ka ndaluar pas përplasjes me autobusin e linjës së Unazës, i cili në atë moment ndodhej rastësisht i ndaluar në stacion.

Punonjësi i policisë, Roland Mete, me qëllim që të neutralizonte veprimet e të pandehurit Ilir Paja, ka qëlluar një herë me armë te xhami i derës së djathtë, në drejtim të kroskotit, për të hapur derën e pasagjerit.

Më pas ai ka hapur derën, ka bllokuar armën dhe ka nxjerrë të pandehurin jashtë dhe e ka shtrirë në tokë.

Punonjësit të policisë, Bledi Haxhimali, i janë shkaktuar dëmtime, të cilat, sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, hyjnë në kategorinë e dëmtimeve të rënda, të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit.