Analisti Frrok Çupi thotë se ka politikanë që kanë qenë xhelatë në kohën e komunizmit.
Sipas analistit shumë politikanë që po vërtiten rreth pallatit të politikës kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit.
“Nëse nuk je spiun i Sigurimit të Shtetit, në këto 3 dekada nuk mund t’i afroheshe politikës. Kusht i pashpallur që të kishe qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, që të kishe një dosje dhe një objekt për t’u shantazhuar. Shumë politikanë që po vërtiten rreth pallatit të politikës, që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, kanë qenë xhelatë të diktaturës”, u shpreh Çupi.
Më tej ai tha se politikani i parë që preket është Ilir Meta.
“Ne po kuptojmë që preket i pari ai që ka qenë në krye të Shtetit, Ilir Meta. Të dhënat janë se atje ka politikanë të atij kalibri si Ilir Meta, që kanë qenë në postë të larta, që Shqipërinë e vë në pozitë të vështirë”, u shpreh ai më tej.
Pak ditë më parë, Kuvendi miratoi me 94 vota pro dhe 1 abstenim disa amendamente në ligjin e dosjeve të sigurimit të shtetit, ku bëhet e mundur hapja e të gjitha dosjeve nga viti 1944 deri në 1991.
Në të njëjtën kohë, sipas këtyre amendamenteve, kandidatët për poste të larta drejtuese duhet të kalojnë sërish në sitën e Autoritetit të Dosjeve, pavarësisht se më parë mund të kenë marrë një certifikatë pastërtie nga dy komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.
Projektligji erdhi pas kërkesës së autoritetit, pasi doli një dosje ku pretendohej se një person me iniciale I.M, që dyshohet se është ish-presidenti Ilir Meta, ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.