Një debat i fortë ka nisur në rrjetet sociale pas deklaratave të islamologes Ikballe Huduti, e cila pohonte se ishte ajo vetë që i kishte gjetur dy gra të tjera bashkëshortit të saj.
Edhe pse poligamia (martesa me më shumë se një person) dënohet me ligj në Shqipëri dhe Kosovë, Huduti pohonte se kishte një raport shumë të mirë me të shoqin, dhe se ai i meritonte dy gratë e tjera.
Kaq ka mjaftuar që rrjeti të nisë të debatojë se a duhet të flitet sot për poligaminë dhe sa e aplikuar është në terren.
Ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra pranon se në xhami ka patur raste të martesave të shumëfishta, në Euronews, Gurra tha se rastet ndodhin dhe janë reale, edhe pse ligji shkelet.
“Në aspektin ligjor, ata janë në shkelje të ligjit. Nuk duhet të ndodhë në atë mënyrë që ndodh. Absolutisht. Ka pasur disa raste në xhami. Ka raste që ka edhe braktisje të këtij lloji, ndërkohë që nuk ka vënë në dijeni ish-bashkëshorten. Poligamia e lejuar sipas tekave personale të individëve është ekstrem”, tha ai.