Policia zbarkon në Lazarat, kontrolle “blic” për armë në banesa

Aktualitet

Publikuar: 11/10/2022

Policia zbarkon në Lazarat, kontrolle “blic” për armë në banesa

Forca të shumta policie kanë zbakuar në Lazarat pasditen e sotme, ku janë kryer kontrolle rutinë, pasi ka patur informacione për armatime në banesa.

Uniformat blu kanë ndërmarrë një sërë kontrollesh në banesat e këtij fshati për të rënë në gjurmët e armatimeve. Ende nuk dihet se çfarë kanë konstatuar efektivët e Policisë gjatë këtij aksioni “blic”.

Kujtojmë se tre ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me banorët e Lazaratit, ku u shpreh se “ata që përdorën terror ndaj jush, do të marrin përgjigjen e merituar”.

Në lidhje me këtë aksion të Policisë, ka reaguar pak më parë edhe vetë Berisha, i cili bën thirrje që të ndalen kontrollet, pasi sipas tij kanë tmerruar banorët.

“Stop terrorit hakmarrës banditesk ndaj Lazaratit.

Të dashur miq, krerët e organizatës qeveritare kriminale Rama-Çuçi të tmerruar nga denoncimet e banorëve të Lazaratit të krimeve kundër njerëzimit të kryera ndaj tyre nga Rama-Tahiri dhe bandat e tyre me uniforme kanë mbushur Lazaratin me narkopolicë dhe terrorizojnë banorët.

Portali i mirënjohur Jugulajme informon për terrorin hakmarrës primitiv që shtruan me porosi të Ramës dhe Çuçit gjatë kontrollit të banesës ndaj një nëne 70 vjeçare nga kriminel me uniformë.

Dënoj më ashpersinë më të madhe dhunën ndaj banorëve të Lazaratit dhe kërkoj ndalimin e menjëhershëm të saj”, shkruan Berisha.