SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka marrë të pandehur Gentian Goskova, i njohur si Reqi i Korçës dhe bashkëpunëtorin Ervis Kosova. Këta dy shtetas u vunë nën hetim nga SPAK pasi tentuan të korrupstonin dhe manipulonin dëshmitarin e prokurorisë, Luftar Reçi.
Ky i fundit ka dëshmuar kundër Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit, Plaurent Dervishit, Viktor Imerit, Indrit Taullaut dhe Indrit Rusit, si autorë të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe Klodian Salit, ngjarje këto të ndodhura në shkurt të vitit 2005.
“Hetimi i deritanishëm ka provuar se të pandehurit Gentian Goskova i njohur me pseudonimin (Reqi) dhe i pandehuri Ervis Kosova, në bashkëpunim mes tyre dhe me persona të tjerë, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, në formën e propozimit dhe premtimit të përfitimit të parregullt të dëshmitarit, për të siguruar nga ky i fundit deklarime të rreme”, thuhet ne njoftimin e SPAK.
NJOFTIMI
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.252/4 të vitit 2022.
Në përfundim të hetimeve paraprake, janë marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim të pandehurit:
Gentian Goskova, i akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 312 dhe 25 i Kodit Penal.
Ervis Kosova, i akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 312 dhe 25 i Kodit Penal.
Hetimi i deritanishëm ka provuar se të pandehurit Gentian Goskova i njohur me pseudonimin (Reqi) dhe i pandehuri Ervis Kosova, në bashkëpunim mes tyre dhe me persona të tjerë, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, në formën e propozimit dhe premtimit të përfitimit të parregullt të dëshmitarit, për të siguruar nga ky i fundit deklarime të rreme (deklarime të marra në funksion të procedimit penal nr.252/2020), duke konsumuar në këtë mënyrë veprat penale të parashikuara nga nenet 312-25 i Kodit Penal.