Nis pas 2 vitesh gjyqi i Fatmira Hajdarit në KPA, u shkarkua për 950 mijë USD pasuri të pajustifikuar! SHBA-të i hoqën vizën, kërkon rikthimin në drejtësi

Aktualitet

Publikuar: 26/09/2022

Nis pas 2 vitesh gjyqi i Fatmira Hajdarit në KPA, u shkarkua për 950 mijë USD pasuri të pajustifikuar! SHBA-të i hoqën vizën, kërkon rikthimin në drejtësi

Kolegji i Apelimit të Vetingut merr në shqyrtim pas dy vitesh dosjen e gjyqtares Fatmira Hajdarit. U shkarkua në qershor të vitit 2020 pasi nuk justifikonte një pallat dhe fshehu bllokimin e vizës amerikane. Gjatë dy viteve mori 75 % të pagës

Në 24 tetor 2022, do të nisë procesi gjyqësor për gjyqtaren e Apelit në Tiranë, Fatmira Hajdari, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, shkalla e dytë dhe e fundit e Vetingut. Trupa gjykuese që do të shqyrtojë dosjen e shkarkimit të Fatmira Hajdarit kryesohet nga Natasha Mulaj, me relatore Ina Ramën, si dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo. Fatmira Hajdari i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rikthimin në drejtësi si gjyqtare, duke rrëzuar vendimin e shkarkimit të saj nga detyra, marrë nga Komisioni i Vetingut në 18 qershor të vitit 2020.

Fatmira Hajdari u shkarkua me arsyetimin se nuk justifikonte me burime të ligjshme një pasuri me vlerë rreth 950 mijë USD. Në konkluzionet për pasurinë, thuhet se gjyqtarja e Apelit nuk e ka deklaruar plotësisht pasurinë, ka bërë deklarim të pamjaftueshëm, nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e pasurive si dhe ka bërë përpjekje për të fshehur një pjesë të pasurisë.

Kryefjala e vendimit për shkarkimin e Fatmira Hajdarit nga detyra është pallati 10-katësh në zonën e njohur si ‘Vilat Gjermane’ në Tiranë. Nga hetimi 19-mujor, ka rezultuar se pallati është ndërtuar pa leje, nuk është deklaruar fillimi i investimit në ILDKP, nuk ka deklaruar fillimin e punimeve, nuk justifikon investimin me para të ligjshme si dhe më vonë del se trualli nuk është më 454 m2, por është rreth 900 m2.

Gjatë seancës dëgjimore ku zonja Hajdari u përpoq të shpjegonte pasurinë e saj, sidomos një pallat në Tiranë, ajo u ironizuar nga vëzhguesi i famshëm ndërkombëtar Theo Jacobs, i cili tha se “unë nuk besoj te sferat magjike” dhe se ‘kam lexuar dosjen e Hajdarit të dielën pasdite duke anuluar planet e tjera”.

Iu hoq viza amerikane

Zonja Hajdari nuk kaloi as testin e pastërtisë së figurës, pasi sipas KPK-së dhe Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, ka fshehur faktin që Ambasada Amerikane i ka hequr vizën për të udhëtuar drejt SHBA.

Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me SHISH, ka hartuar dy raporte për pastërtinë e figurës të gjyqtares së Apelit Fatmira Hajdari, për llogari të Komisionit të Vetingut. Në 2 nëntor 2017, DSIK i ka dërguar një raport Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke konstatuar se zonja Hajdari ishte e përshtatshme për të vijuar detyrën. Ndërkaq, në tetor 2019, DSIK ka ndryshuar mendim, duke referuar një raport tjetër në KPK, me konstatimi se zonja Hajdari nuk është e përshtatshme për të vijuar detyrën si gjyqtare. Sipas DSIK, Fatmira Hajdari është pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilëve Ambasada Amerikane në Tiranë u ka hequr vizat si të korruptuar, ndërsa vetë gjyqtarja ka deklaruar se viza amerikan i është bllokuar deri në fund të procesit të Vettingut dhe jo si e korruptuar.

“Shqyrtimi i aplikimit për vizë të SHBA-ve shoqërohet me verifikim të besueshëm dhe profesionale të aplikantit. Marrja e vizës së SHBA kuptohet si standard për pastërtinë e figurës ku aplikanti i nënshtrohet një procedura të imtësishme dhe të besueshme Vetingu. Ndërkohë që refuzimi/revokimi i vizës mund të bëhet për disa arsye, sjellim në vëmendje se Ambasada e SHBA-së ka deklaruar se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore që në dispozicion për refuzimin/revokimin e vizave të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Kjo praktikë është ndjekur nga SHBA për promovimin e luftës kundër korrupsionit, anembanë botës. Revokimi i vizës përkon në periudhë me deklaratën e Ambasadës së SHBA-së”, thuhet në raport.

Në raport thuhet gjithashtu se Fatmira Hajdarit i është bllokuar viza amerikane në 26 janar 2017, ndërsa formularin për pastërtinë e figurës e ka plotësuar një ditë më pas, në 27 janar 2017, duke mos e deklaruar faktin e revokimit të vizës. “Mosdeklarimi në këtë rast e ngarkon znj. Fatmira Hajdari me përgjegjësinë e fshehjes së faktit dhe me plotësim jo me vërtetësi të deklaratës për kontrollin e figurës”, thuhet në raportin e klasifikuar si sekret, por i deklasifikuar pjesërisht më vonë.