Sulmi kibernetik i Iranit, rikthehet sistemi TIMS në 6 pika kufitare, Rama: S’pati asnjë rrjedhje serioze të dhënash! Shqipëria ka rezistuar më së miri

Aktualitet

Publikuar: 11/09/2022

Sulmi kibernetik i Iranit, rikthehet sistemi TIMS në 6 pika kufitare, Rama: S’pati asnjë rrjedhje serioze të dhënash! Shqipëria ka rezistuar më së miri

Pas më shumë se 24 orësh ndërprerje si pasojë e sulmit kibernetik të Iranit, sistemi TIMS është rikthyer në normalitet në 6 pika kufitare të vendit tonë. Sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, ku tashmë regjistrimi i hyrjeve dhe daljeve do të bëhet përmes tij dhe qytetarët nuk do të jenë të detyruar të presin në radhë të gjata.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka bërë me dije se sistemi që përdor Policia e Shtetit rezulton t’i jetë kthyer normalitetit edhe në pikat kufitare të Kapshticës, Kakavijës, Hanit të Hotit, Muriqanit dhe Morinës. Bëhet me dije se sistemi nuk është kthyer në Portin e Durrësit, atë të Vlorës e në pikën kufitare të Qafë-Thanës. Për rikthimin e tij në normalitet të plotë, po punohet bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për rikthimin e sistemit ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ka theksuar se pavarësisht sulmit, agresori nuk ia ka arritur qëllimit, ndërsa siguron se nuk ka pasur asnjë rrjedhje serioze të dhënash. Kreu i qeverisë pati edhe një koment për të gjithë kritikët, duke thënë se Shqipëria i rezistoi më së miri këtyre sulmeve, falë edhe mbështetjes së aleates më të madhe të vendit tonë, SHBA-së.

“Dhe përtej cinizmit e përqeshjeve tipike të klubit të madh të thashethemeve digjitale, ushqyer nga ulëritës profesionistë dhe kinse strategë marrëdhëniesh ndërkombëtare, Shqipëria teknikisht ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm!”, shkroi Rama.
Sistemi TIMS në vendin tonë rë pre e një sulmi kibernetik nga qeveria e Iranit të premten në mbrëmje. Sulmi kibernetik shkaktoi radhë në të gjitha pikat kufitare në vend, ndërsa regjistrimi i hyrjeve dhe daljeve të qytetarëve dhe mjeteve u bë me regjistër me shkrim. Radhë të gjata u shkaktuan edhe në aeroportin e Rinasit, por kreu i Aviacionit Civil, Maksim Et’Hemaj tha në Report Tv se nuk është anuluar asnjë fluturim. Për arsye sigurie, pas sulmit kibernetik, serverat e TIMS u fikën, njëjtë si ndodhi edhe në rastin e sulmit që iu bë e-Albania, me qëllim për t’i shkëputur nga rrjeti derisa u rikuperuan ditën e sotme.
Sulmi kibernetik i Iranit u dënua ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë garantoi mbështetjen për vendin tonë dhe tha se punuan sëbashku për të rikthyer në normalitet sistemin.
Ky është sulmi i dytë kibernetik që Irani bën ndaj Shqipërisë. Herën e parë, në korrik të këtij viti goditi shërbimet online, ku prej gati 4 javësh ato mbetën të bllokuara, Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin. Nisur nga “provat e pakundërshtueshme”, siç vetë Rama e bëri të ditur, Shqipëria mori vendimin për të prishur marrëdhëniet diplomatike. Ky vendim është mbështetet nga shtetet aleate, teksa Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione për Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë të Iranit (MOIS) dhe Esmail Khatib, Ministrin për aktivitetet kibernetike.