Ky është mafiozi Festim Qoli, në kërkim për vrasjen Elvis dhe Fatmira Dedajt, qëlloi edhe mbi Lul Berishën, kontraktonte Dumanin për vrasje, si i ka fshehur pasuritë

Kronike

Publikuar: 04/09/2022

Ky është mafiozi Festim Qoli, në kërkim për vrasjen Elvis dhe Fatmira Dedajt, qëlloi edhe mbi Lul Berishën, kontraktonte Dumanin për vrasje, si i ka fshehur pasuritë

Prapaskena publikon foton e Festim Qolit, një prej personave të shpallur në kërkim nga SPAK për vrasjen Elvis Dedajt dhe Fatmira Dedajt, nënë e bir, si dhe si kontraktor i Nuredin Dumanit për të kryer krime të ndryshme.

I njohur në Durrës me nofkën “Feste”, Festim Qoli është i skeduar si kontigjent kriminal, ndërsa mendohet se ka fshehur në emra të tjerë pasuri të krijuara me para të pista, si lokale, restorante, karburante, shtëpi etj.

Qëlloi ndaj Lul Berishës

Në dosjet e drejtësisë shqiptare, Festim Qoli, i njohur me nofkën ‘Feste’, rezulton precedentë kriminalë që në vitin 1998, ndonëse nuk është dënuar kurrë për asnjë vepër penale, të paktën në Shqipëri.

Festim Qoli rezulton në dosjen e ish bandës së Durrësit, me në krye Lulzim Berishën. I penduari i drejtësisë që rrëfeu krimet e bandës, Adriatik Coli, ka deklaruar se në vitin 1998, Festim Qoli dhe Lul Berisha kanë qëlluar ndaj njëri-tjetrit me pistoletë. Coli u rrëfye para drejtësisë në vitin 2006, duke çuar prapa hekurave 16 persona.

në muajin dhjetor të vitit 1997, unë u ktheva në Shqipëri, pasi më ktheu policia gjermane. Kur u ktheva në shtëpi, përballë banesës time, kishte ardhur për të jetuar një familje e re. Pjesëtar i kësaj familje ishte shtetasi Lulëzim Berisha, i moshës rreth 35 vjeç. Unë këtë shtetas e njihja. Si rezultat i fqinjësisë ne krijuam shoqëri me njëri-tjetrin, e cila u forcua akoma dhe më shumë, pasi Lulin e qëlloi me pistoletë, Festim Qoli, të cilin e thërrisnin “Feste”. Kjo ngjarje ka ndodhur në verë, ndoshta në vitin 1998, tek lokali “Xhorxhit të Nores” që ndodhet në afërsi të “Nish Gomës” së vjetër në Durrës. Nga Luli dhe persona të tjerë kam mësuar se së bashku me “Festen”, atë ditë që u qëllua Luli ka qenë edhe K. P. Të dy këto shtetas kanë qëlluar ndaj Lulit. Edhe Luli i kishte qëlluar këta të dy me pistoletë, po nuk i kishte goditur. Unë kam mësuar se shkaku i përplasjes me armë midis “Festes” dhe Lulit ishte banal…”, ka pohuar Adriatik Coli.

Vrasja e nënë e bir 

Festim Qoli akuzohet nga SPAK për vrasjen e ortakut të tij, 36-vjeçarit Elvis Dedaj në 5 qershor të vitin 2012 në Durrës si dhe për porositjen e vrasjes së nënës së tij, Fatmira Dedaj, një vit më pas, në 2013. Qoli është shpallur në kërkim pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili tregoi detaje nga krimi i dyfishtë.

Sipas dosjes në Prokurorinë e Durrësit, Festim Qoli ka deklaruar se Elvisin e kishte shok të ngushtë, por marrëdhëniet e tyre ishin ftohur, kur Elvisi i kishte treguar që dëshironte të martohej me një vajzë, të cilën Festimi pretendon ta kishte pasur të dashur para se ta njihte Elvisi. Qoli në atë kohë mohoi krimin, ndërsa prokuroria pas tre vitesh, pezulloi hetimet.

Çështja e vajzës duket se është një sajesë dhe se arsyet e vrasjes konsistojnë në interesa financiare dhe plane për përvetësim pronash.

Nëna e Elvis Dedajt, Fatmira Dedaj, ka deklaruar në prokurori, para se ta vrisnin, se kishte dyshime të forta se Festim Qoli ishte autori i vrasjes së djalit të saj, pasi Elvisi kishte kërkuar për të ndarë pasuritë dhe bizneset në bashkëpronësi.

Nga ana tjetër në rrëfimin e tij, Nuredin Dumani tregon se ka qenë në palestrën e Festimit, kur ky i fundit ka treguar se i ka dhënë 200 mijë euro njerëzve të drejtësisë, për të mbyllur çështjen e vrasjes së Elvis Dedes, të cilit i kishte para borxh.

Një ditë kur unë, Festimi dhe Henriku po pinim të tre bashkë alkool dhe kokainë, gjatë diskutimeve duke u mburrur për ngjarjet që ne kishim bërë, ata më treguan sesi e kishin realizuar vrasjen e Elvis Dedaj. Ditën e ngjarjes ata kanë qenë duke pirë një një lokal anës rrugës së Kënetës në të cilën ka kioska që pjekin mish. Kanë qenë në pritje të informacionit se ku ndodhej Elvisi. Vendin ku ndodhej Elvisi, Festo e ka mësuar nga….ka qenë duke ngrënë drekë së bashku me Elvisin në një restorant në rrugën dytësore pranë Shkëmbit të Kavajës…Festo më ka treguar se e ka pyetur vetë Elvisin me telefon se ku ndodhet? Kjo sipas Festos ka dalë edhe nga hetimet. Pasi Elvisi është ngritur nga tavolina ka shkuar në makinë për t’u larguar, në atë moment Festimi me Henrikun kanë qenë duke e pritur. Sapo Elvisi është futur në makinë ka shkuar Henriku dhe e ka qëlluar me armë. Pas ngjarjes janë larguar me makinën Mitsubishi L200, të cilën e kanë djegur në Kodër Arapaj. Nga djegia e makinës Festimi ka djegur vetullat dhe fytyrën… Më pas u bëmë shokë së bashku. Një ditë ishim duke bërë palestër, tek palestra e Festimit brenda kompleksit të tij, po diskutonim për ngjarjen që ishte vrarë Ervis Dedaj, që akuzohej Festim Qoli i cili e kishte mbyllur çështjen duke më thënë se vetëm këtyre “qenve” këtu në Durrës ju kam dhënë 200.000 Euro”, ka pohuar Dumani para prokurorëve të SPAK.

Këmbëngulja e Fatmira Dedajt për të kërkuar drejtësi për të birin, e bezdiste Qolin. Kështu Qoli kontrakton Nuredin Dumanin për ta hequr qafet.

Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, pikërisht këmbëngulja Fatmira Dedes për të kërkuar drejtësi për të birin, ka shqetësuar dhe nervozuar biznesmenin, Festim Qoli, i cili kishte ofruar 40 mijë euro Dumanit për të vrarë 60-vjeçaren Fatmira Deda. Dumani thotë se kishte kontraktuar Talo Çelën për vrasjen e Fatmirës për 30 mijë euro. Dhe Çela nuk mendohet dy herë, duke vrarë Fatmira Dedën në mënyrë makabre, një nga krimet më të rënda të dosjes me 32 të akuzuar.

Pasuritë

Para vrasjes së nënë e bir, Festim Qoli rezultonte bashkëpronar me Fatmira Dedajn në biznesin e tregtimit të karburanteve në Durrës. Qoli kishte 49 % të pikës së karburantit, ndërsa Fatmira Dedaj, e cila mbulonte të birin, kishte 51 %. Qoli u bë pronar me 100 % i karburantit pas vrasjes së nënë e bir.

Në dosjen e prokurorisë, thuhet se Festim Qoli dhe Elvis Dedaj kanë pasur edhe prona të tjera të përbashkëta të regjistruara në emër të Festim Qolit.

Nuredin Dumani, në dëshminë e tij, thekson se Festim Qoli, kishte shumë pasuri të regjistruar në emra të tjerë, duke përfshirë edhe një godinë trekatëshe në zonën e njohur si Nishtulla, ku përfshihej Bar Kafe “Spiranca”, ushqimore me shumicë edhe një restorant dasmash.

Elvis Dedaj kishte miliona euro para cash, dhjetëra mijëra m2 prona, apartamente dhe pasuri të tjera, në emër të Qolit, nënës së tij dhe të personave të tjerë.

Plani për vrasjen e gruas së avokatit

Festim Qoli e kishte kontraktuar Dumanin për të kryer krime të ndryshme për llogari të tij dhe të avokatit të njohur Alban Bengasi. Sipas rrëfimit, kur Alban Bengasi i kishte kërkuar Dumanit të vriste gruan e tij Blerta Bengasi për 120 mijë euro, Qoli i kishte thënë ta pranonte ofertën, pasi avokati i duhej, pasi kishte lidhje të forta me gjyqtarë dhe prokurorë. Gjithnjë sipas dosjes, Festim Qoli i kishte kërkuar më herët Dumanit të dhunonte Blerta Bengasi, kundrejt pagesës, me porosi të bashkëshortit të saj Alban Bengasi, i cili kërkonte të hakmerrej për shkak të një tradhtie të dyshuar. Dhunimin e Blerta Bengasit në Tiranë, Qoli donte të bënte si nder për avokatin Alban Bengasi. Dumani ia kalon ‘porosinë’ Eljo Bitrit, i cili dhunon zonjën Blerta. Meqenëse avokati ishte i pakënaqur me shkallën e dhunimit, pasi donte me patjetër që gruas së tij t’i thyhej këmba ose krahu, ai i kërkon Nuredin Dumanit ta vrasë. Dumani nuk pranon pasi i janë dukur pak 120 mijë euro për të vrarë një grua, ndërsa Qoli e shtyn të pranojë ofertën, për të ruajtur lidhjet me Alban Bengasin.