Ashtu si Monika Kryemadhi ekspozoi vilën luksoze dhe me 11 tualete në Gjirin e Lalzit, edhe djali i Irfan Hysenbelliut, Fatmiri, u ka treguar shqiptarëve shtëpinë me vlerë, sipas tij, 20 milionë euro, ndërtuar me paratë e babait grabiqar të pasurive publike.
Por nëse Monika e zhduku dokumentatin që bëri me Sonila Meçon për vilën, Fatmiri vijon të mburret me shtëpinë, brenda të cilës ka palestër, pishina, kalçeto, fushë tenisi, kinema, sauna dhe kudo shkëlqen luksi.

Edhe pse Fatmiri përfaqëson modelin e të pasurit pa punuar, me paratë e babit, me biznese që vjedhin shtetin dhe zaptojnë pasuritë publike, modelin e të pasurit pa bërë asgjë, pa asnjë cilësi, një fotbullist i dështuar etj., sërish ai ekspozoi luksin duke sfiduar shqiptarët, por edhe drejtësinë.
Kur blinte një makinë të re me paratë e babit që ka pushtuar godinat publike, ky duhet të ishte lajmi kryesor në mediat e tij, që sot i përdor për të mbrojtur zaptimin e detit.
Ja çfarë shkruante Panorama në vitin 2016.
“Fundjavën e kaluar, Fatmir Hysenbelliu është shndërruar në personazhin më të klikuar të mediave dhe portaleve sociale, pasi është fotografuar rastësisht nga kalimtarë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ndërsa dilte nga një makinë e veçantë e markës “McLaren” 570 gt. Shumë persona kanë ndaluar të bëjnë foto, video apo selfie pranë makinës së Onit, sepse nuk u kanë besuar syve dhe u është dukur si ëndërr, që mund të shihnin kaq afër një makinë të kësaj marke, pasi më parë kompania ka prodhuar makina të tilla vetëm për “Formula 1”. Oni është poseduesi i parë i një makine të tillë që hyn për herë të parë në Shqipëri, e cila ka kushtuar 250 mijë euro. Oni e ka bërë të vetën direkt sapo është prodhuar në nëntor 2016, ndërkohë që është model i vitit 2017. I pyetur sa ka shkuar kilometrazhi i makinës në 1 javë që ai e ka përdorur makinën e tij të re, Oni tregon për “”Panorama”: “Mund të them se nuk ka bërë ende as 200 kilometra, pasi deri tani kam qarkulluar me makinën e re vetëm brenda për brenda Tiranës, pra s’kam shkuar ende as në Durrës. Gjithsesi kam menduar që udhëtimin më të gjatë me Mclaren-in tim ta bëj në Monte Carlo, për Krishtlindje”. Ky model “full option” është i pari që hyn në Shqipëri dhe një nga 15 të tilla që janë shitur në Europë“.

Shtëpia 20 mln euro
Shtëpia ndodhet në katin e fundit të një pallati në qytetin e Tiranës. Prej shtëpisë së tij mund të shihet qartë i gjithë qyteti. Shtëpia e tij përfshin një palestër, një kinema private dhe një pishinë. Gjithashtu, ai ka një dhomë të veçantë për gardërobën e tij, një fushë kalçetoje, fushë basketbolli, jacuzzi në tarracë etj.

Drita që hyn nga çdo anë, hapësirat e bollshme për çdo nevojë që mund të ketë një njeri, restorante, disa shtëpi brenda shtëpisë, tualete, dhoma për miq, gong nga Azia, verëra shumëvjeçare dhe një mobilim me vlerë disa milionë euro.
Prapaskena mëson se Irfani dhe Fatmiri kanë theksuar se shtëpia ka kushtuar 20 milionë euro.
A e shikon SPAK këtë luks dhe a do të bëjë një verifikim për burimin e parave?









