Lirohet kryekomisari që ngriti në këmbë qytetarinë shkodrane, gjykata hedh poshtë akuzat

Aktualitet

Publikuar: 30/08/2022

Lirohet kryekomisari që ngriti në këmbë qytetarinë shkodrane, gjykata hedh poshtë akuzat

Gjykata e Apelit në Shkodër ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për kryekomisarin Saimir Rustemi duke hedhur poshtë akuzat e pretenduara për shpërdorim detyre.

Vendimi nga Apeli u dha ditën e sotme ku gjatë masës së sigurisë në Gjykatën e Shkallës së Parë një grup qytetarësh shkodran protestuan sërish kundër arrestimit të kryekomisarit.

Pak kohë më parë, Rrustemi si asnjëherë tjetër ngriti në këmbë qytetarinë shkodrane të cilët i dolën në mbrojtje duke organizuar një sërë protestash kundër akuzave të ngritura.

Me pankarta në duar dhe me superlativa për të, ata kërkuan lirimin duke u shprehur se ishte ndër të paktë funksionarë që i përgjigjej shqetësimeve të tyre në përpjekje për të mbrojtur rendin dhe sigurinë.

Protesta e tyre e pazakontë tërhoqi gjerësisht vëmendjen e opinionit publik të cilët i dolën në krah.

Media raportoi se aksioni kundër tij lidhej me ushtrimin e detyrës dhe kryesisht me identifikimin dhe organizimin e operacioneve anti-drogë ku u goditën një sërë grupesh kriminale.