Kur një shok partie i prezantoi për herë të parë Grisejda Myslimin Ilir Metës, ky i fundit nisi ta pyeste herë pas here ‘ça ke mbaruar’ duke marrë të njëjtën përgjigje, u turbullua dhe nga fundi i takimit, duke pirë raki, nisi të qante për një histori qesharake.
Myslimi mbeti e befasur se si Meta që kishte parë në televizor, që matej me Mujo Ulqinakun, Mic Sokoli dhe se do luftonte kundër SHBA-ve si Salvador Allende, ishte shëndërruar në një peronazh butaforik me sy të zgudulluar.
Prapaskena mëson se më pas Meta urdhëroi Tit Vasilin, të cilin e përdor si eunuk dhe për t’i lexuar shtypin kur shkon në mëngjes në tualet, të kujdesej për ta marrë Myslimin në çdo aktivitet të LSI.
Meta kërkoi ndryshimin e rendisjes së listës së deputetëve të LSI në Vlorë për të vendosur Myslimin të parë dhe Luan Ramën që ishte i pari, të zhvendosej i dyti. Kur i thanë se ishte e pamundur për shkak të afateve, Meta urdhëroi zagarin e tij Vasili që të dilte dhe të bënte thirrje që të votohej vetëm për Grisejda Myslimin dhe jo për Luan Ramën.
Dhe ashtu ndodhi. Vasili bëri thirrje që të votohej vetëm për Grisejda Myslimin, e cila po habitej se çfarë po ndodhte dhe se si kishte rënë në atë qerthull intrigash, pazaresh dhe xhelozish.
Grisejda Myslimi mbeti gojëjapur kur një ditë, Ilir Meta, i zhvendosur me shpurën e Presidencës në Vlorë, i gjuajti me shpullë Luan Ramës, pa ndonjë arsye të dukshme.
Incidenti u manipulua shpejt nga Petrit Vasili, i cili përhapi në media versionin sikur Luan Rama nuk po bënte fushatë, takohej fshehurazi me Damian Gjiknurin etj.
Luan Rama ishte ndër socialistët e fundit që kishte mbetur në çetën e Metës dhe Monikës. Divorci i tij me Metën do të ishte përfundimtar.
Monika Kryemadhi ishte duke bërë mollëzat e faqeve dhe ishte jashtë loje, deri kur një nga spiunët e oborrit i përshpëriti një ditë në vesh. Spiuni u indentifikua më pas nga Meta, i cili e ndēshkoi me dëbim nga oborri i LSI për 6 muaj.
Kryemadhi shkoi me urgjencë drejt Vlorës, ku bëri reprezalje, shau dhe turfulloi, tundi çizmen dhe në fund i besoi Elona Gurit të mbante nën monitorim Liken, i lëshuar pas rakisë, paranojave dhe vajzave të LSI.
Elona Guri është një personazh që Meta dhe Monika e përdorin si Petrit Vasilin, si dado për fëmijë, si korriere lekësh të pista, për sharje, intriga, ruajtje dhe çimka.
Prapaskena mëson nga burime tepër serioze se ishte pikërisht Elona Guri ajo që për llogari të Metës, arriti të vendoste përgjues në çdo ambient privat që frekuentonte Dritan Prifti me dashnoret e tij.
Ajo arriti të siguronte pamje filmike të Priftit me një nga të dashurat në shtrat, video e publikuar pjesërisht, që Meta e përdori për të shantazhuar Priftin që të mos fliste më pas gjëmës që i bëri, duke i publikuar videon e pazarit në zyrën e tij, ku Meta shfaqej me një bllok të zi në dorë.