Incidenti në Holandë, Ministria e Mbrojtjes “ngrin” Majorin Ermal Dinoshi

Aktualitet

Publikuar: 14/08/2022

Incidenti në Holandë, Ministria e Mbrojtjes “ngrin” Majorin Ermal Dinoshi

Marrja me qira e një banesë në Holandë,  e përdorur më pas  nga persona të tjerë,  për të kultivuar kanabis,  i ka kushtuar shumë ushtarakut shqiptar Ermal Dinoshi, i trajnuar disa herë në Amerikë dhe Kanada.

Ministria e Mbrojtjes tha se Ministri Mbrojtjes Niko Peleshi  ka urdhëruar nxjerrjen e tij në dispozicion.

Policia Ushtarake thotë Ministria e Mbrojtjes ka vijuar procedurat ligjore për këtë rast. E ka marrë në pyetje Major Dinoshin për incidentin në Holandë.

Theksojmë se nuk mund të ofrojmë më shumë informacion momentalisht, duke respektuar kryerjen e veprimeve hetimore procedurale për personat nën hetim dhe statusin e tyre për aq kohë sa nuk përfunduar hetimi çështjes” thotë Ministria e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes thekson se “ pas sigurimit të informacionit më të plotë dhe dokumentacionit të ardhur është propozuar pezullimi nga detyra e Major Dinoshit, procedurë e cila është finalizuar  me daljen e urdhrit përkatës të Ministrit të Mbrojtjes”.

Ne thotë Ministria e Mbrojtjes do të jemi proaktivë në parandalimin dhe ndëshkimin e çdo rasti sado të izoluar për të mos prishur imazhin e Forcave të Armatosura brenda dhe ashtu jashtë vendit.

Në 9 Korrik 2022 ekskluzivisht u raportua se Major Ermal Dinoshi  i përzgjedhur për të qenë pjesë e një misioni bashkëpunimi me ushtrinë e Holandës, në kuadër të NATO-s, ishte vënë  nën hetim me  dyshim si i përfshirë në aktivitet kriminal.

Dinoshi, sipas të dhënave nga  policia e Holandës dyshohet se në bashkëpunim, me persona të tjerë ngritën një shtëpi për rritje kanabisi në qytetin Brunsum.

Ushtaraku Ermal Dinoshi u përfshi në këtë histori pasi duke përdorur  pasaportës së tij mori një shtëpi me qera nën mirbesim për një të afërm i cili më pas e përdori për rritje kanabisi.

Një muaj më parë Ministria e Mbrojtjes tha se Majori Dinoshi:

Është  përfshirë në një veprimtari për të cilën autoritetet holandeze janë duke e investiguar në gjendje të lirë. Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes është në pritje të një raporti nga autoritet holandeze. Ministria e Mbrojtjes i ka ndaluar të ushtrojë përgjegjësitë e detyrën në bazë dhe ka urdhëruar kthimin e menjëhershëm në atdhe”.

Ministria e Mbrojtjes theksonte  se po bashkëpunohet me autoritetet holandeze për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave përkatëse ligjore në vijim.

Kjo ngjarje  ngriti  një sërë pikëpyetjesh se si ushtarakët e vendit tonë anëtarë i NATO-s përzgjidhen dhe në çfarë filtrash kalojnë për  të shkuar në të tilla misione.

Objekt diskutimi në Komisonin Parlamentar të Ligjeve

Disa ditë pas publikimit të këtij lajmi, pati përplasjen e përfaqësuesve të opozitës dhe maxhorancës gjatë mbledhjes së Komisionit për Çështjet Ligjore.

Deputeti demokrat Gazmend Bardhi e komentoi një dështim Shërbimin Informativ Ushtarak.

“Veç detyrës së tij si ushtarak, pasi mbaronte punën dhe hiqte veshjen ushtarake ishte i angazhuar në veprimtari kriminale të trafikut të drogës. Zonja kryetare nëse ju nuk e keni ndjekur, duhet të merrni informacione se i bie që i gjithë zinxhiri i Ministrisë së Mbrojtjes ka dështuar”, tha Bardhi.

Ndërsa përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes u mbrojtën duke thënë se përgjegjësia për ngjarjen është personale e nuk mund të përfaqësohen Forcat e Armatosura me një person të vetëm dhe se do të ndërmerren hapa ligjorë kundër tij.

Bardhi: A ka pasur Ministria e Mbrojtjes informacion për aktivitetin e këtij ushtaraku të lartë? Çfarë veprimesh ka bërë Shërbimi Informativ Ushtarak? A keni informacione të zyrtarëve të tjerë të lartë të ushtrisë për përfshirje në veprimtari kriminale? Si ndikon kjo në marrëdhëniet tona me NATO-n? A është cenuar siguria kombëtare e shtetit shqiptar dhe pastaj mund të dalim se çfarë veprimesh do bëjë policia e reformuar ushtarake që ju po ngrini kur ai të kthehet në atdhe?

Përfaqësuesja e Ministrisë së Mbrojtjes: Forcat e Armatosura nuk mund të përfaqësohen me një person të vetëm, do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore dhe përgjegjësia është personale.

Gazmend Bardhi: Në fakt nuk është përgjegjësi personale por dështim i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Informativ Ushtarak se për këtë paguhen këta dhe këtë të përgjegjësisë personale lërjani dikujt tjetër. E mbani mend atë rastin kur ushtaraku në detyrë transportonte drogë me helikopterin e ushtrisë dhe u zbulua kur iu prish helikopteri.

Pandeli Majko: Zoti Gazi i shërben atij brezi që nuk e ka shërbyer ligjin e detyrimit ushtarak ndaj nuk e njeh mirë strukturën. S’kemi të bëjmë me ngjarje që prek të gjitha strukturat e ushtrisë”.