Kompania e drogës “Daed” sh.p.k kompleks mbi plazh në Sarandë, pastrim parash, leje korruptive, emra, lidhje dhe krim mjedisor. Historia e heroinës në gurët me fole nga Berati në Gjermani

Investigim

Publikuar: 13/08/2022

Kompania e drogës “Daed” sh.p.k kompleks mbi plazh në Sarandë, pastrim parash, leje korruptive, emra, lidhje dhe krim mjedisor. Historia e heroinës në gurët me fole nga Berati në Gjermani

Korrupsion, drogë, pazare dhe zaptim i vijës bregdetare. Saranda po bëhet e pajetueshme. Krerët dhe ish krerët e IKMT dhe urbanistikës janë në burg bashkë me Romina Pulajn, por as burgu nuk e ndal babëzinë.

Mbi rërën dhe detin e Sarandës, tek zona e quajtur Kanali i Çukës po ndërtohet një kompleks pallatesh dhe hotelesh, me leje korruptive dhe të paligjshme, si dhe me para të dyshimta.

Kullat po ngrihen nga kompania “Daed” sh.p.k, e skeduar nga autoritetet gjermane dhe shërbimet e tjera partnere, për trafik masiv heroine dhe hashashi, kamufluar me gurë me fole, me blloqe graniti dhe gurë të mëdhenj të prerë në një zonë të Beratit.

Disa tonë drogë janë trafikuar në Gjermani vite më parë, futur mes gurëve të prerë. Objekt i veprimtarisë së “Daed” sh.p.k ishte edhe prerja, gdhendja dhe lustrimi i gurit, përfshirë transportin ndërkombëtar të gurit.

Autoritetet gjermane gjurmuan linjën e trafikut, e cila rezultoi se organizohej në Shqipëri, madje në Berat ku ushtronte veprimtarinë në gurore “Daed” sh.p.k. Policia shqiptare nisi një hetim pas oaksionit të bujshëm në Gjermani, por hetimi u mbulua shumë shpejt me paratë e drogës dhe nuk u fol më për këtë çështje.

Pas aksionit në Gjermani, kompania “Daed” sh.p.k  nisi të zhdukte çdo gjurmë të gurores.

Skrepat dhe mjetet e tjera ia shiti Eskobarit të Ballkanit, Klement Balili, i cili u godit nga DEA amerikane dhe sot po vuan dëminin me burg, por vijon të komandojë nga qelia një pasuri përrallore në Sarandë, si hotele, resorte etj., të kaluar në emra të tjerë.

Balili po përgatitet të dalë nga burgu dhe synon të bëhet komandant i LSI-së në Sarandë, siç ishte më parë.

Me para të dyshimta, grupi i “Daed” sh.p.k, u zhvendos drejt Sarandës duke investuar thasët me para në ndërtim, pikërisht në Sarandë, tek Kanali i Çukës.

Ndërtimi konsiderohet nga SHISH, DASH, Brukseli, prokuroria, SPAK dhe Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave si sektori kryesor ku pastrohen paratë e pista në Shqipëri.

Grupi i kopmanisë  “Daed” sh.p.k i bleu një sipërfaqe toke në Sarandë, buzë detit, greko-shqiptarit i njohur si Zhupa.

Këtu nis një histori korrupsioni, shpërdorimi detyre dhe krimi mjedisor nga kupola e Bashkisë Sarandë.

Në skenë shfaqet Gent Koloi, ish shef i urbanistikës në Bashkinë Sarandë, i cili bëhet ortak me kompaninë “Daed” sh.p.k, e cila konsiderohet lavatriçja e parave të pista e Sarandës.

Gent Koloi koloi bënte letrat për leje ndërtimi mbi plazh, duke qenë aksioner. Sot, Koloi punon në zyrën juridike që verifikon procedurat për hotelet ku ka pjesën e tij.

Nuk është rastësi që drejtorët kryesorë të Bashkisë Sarandë janë pronarë të hoteleve luksoze, ndërtuar me para të pista, siç është hotel Demi ku pronare është një drejtoreshë e Bashkisë, histori për të cilën do të flasim në vijim.

Në lejen korruptive për grupin e drogës janë implikuar Floriana Koka, ish-kryetarin e Bashkisë, Edmond Gjoka, Panajot Gunari, Gent Koloi etj., por burime për Prapaskenën thanë se në lojë është edhe vjherri i Belind Këlliçit, Artan Shkreli, i cili ka ndikuar.

Në maj të vitit 2018, IKMT kallëzoi në Prokurori Floriana Kokën, Edmond Gjokën dhe ish-shefin e Urbanistikës, Panajot Gunari. Koka, Gjoka dhe Gunari akuzoheshin nga IKMT se kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.

Ish zyrtarët u akuzuan nga vetë IKMT përgjegjës për miratimin në kundërshtim me ligjin, të lejes së ndërtimit në favor të firmës së ndërtimit, gurëve dhe drogës “Daed” sh.p.k dhe zgjatjen e afatit të kësaj leje për objektin “Kompleks multifunksional” në zonën bregdetare, pranë Kanalit të Çukës.

IKMT, që denoncoi aferën ishte përfshirë ndërkohë në afera të tjera vetë, me lejimin e pallateve pa leje të Kol Noku, Lefter Lefteri me lidhje me drejtues të lartë të policisë etj., histori tashmë të njohura dhe për të cilat janë bërë disa arrestime.

Mbetet për t’u parë nëse Prokuroria Sarandë dhe SPAK do të veprojnë pas gjithë kësaj panorame kriminale. Të dhënat, lidhjet dhe indiciet në këtë artikull janë vetë fillimi i fillit të një lëmshi të madh korrupsioni, pastrimi parash, lidhjesh klienteliste, manipulimi, blerje drejtësie etj.

Në vijim emra dhe lidhje të tjera, kush fshihet pas  “Daed” sh.p.k, si po i investojnë paratë e pista në ndërtim, veprimtaria e falsifikatorit të madh të pronave Valter Lapa, grabitja e pronave në Konispol dhe Butrint, lufta mes grupit të Tom Doshit dhe grupit të Shuaipit të Konispolit për fshatin me vila pranë Butrintit, pazaret me pronarin e Sofrës së Ariut në Tiranë, vilat e fsheta me para të pista tek TEG etj.