Ish-Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama i cili e akuzoi atë se po shantazhonte Autoritetin e Dosjeve pas publikimit të emrit të tij si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Në një postim në Facebook, Meta ka publikuar një shkrim të revistës së kohës së komunizmit “Në shërbim të popullit”, ku karikaturat janë realizuar nga Rama.
“Ju përshëndes me këtë karikaturë të karikaturistit të preferuar të Sigurimit, Edi apo Edvin Rama, përshtatur në një shkrim të revistës “Në shërbim të popullit”, 10 tetor 1983, ku çuditërisht në shkrimin e porositur nga Sigurimi flitet për heroizmin e një “Mata Hari” shqiptare të quajtur Neta”, shkruan Meta.
Më tej, Meta i ka nxjerrë Ramës bilushin, duke e sharë nga nëna, e cila ka ndërruar jetë. Bilushi i Metës ka shkruar:
Karikaturisti me pagesë i Sigurimit të Shtetit, Edi.K.R apo Edvin Kristaq Rama mashtron rëndë kur pretendon se kryetaren e Autoritetit të Dosjeve ia ka propozuar Meta. Të gjithë e dinë se ajo ka qenë Zëvendësministre e Veliajt (djali i instruktore Shpresës), e preferuara e tij dhe e Ramës. Për më tepër, që karikaturisti me pagesë i revistës së Sigurimit “Në shërbim të popullit”, e di më mirë se kushdo që takimet apo bisedat për të cilat pretendon janë të dokumentuara.
Gjithësesi nuk ka më vend për justifikime dhe alibi. Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë dhe Rama është përgjegjësi kryesor që ka urdhëruar manipulimet dhe falsifikimiet. Ka shumë gjëra që kanë çmim. Por kurrë Dinjiteti dhe Nderi. Djali i Netës i di shaka këto. Më keq për të dhe tarallakët që e ndjekin në këtë marrëzi! BOLL U FSHEVE PAS FUSTANIT TË GRAVE DHE TË MAMIT! PËRGJIGJU TANI!”.
Nga ana tjetër, me një postim në gjatë në Facebook, kryeministri Edi Rama theu heshtjen këtë të shtunë në lidhje me publikimin e informacioneve nga Autoriteti i Dosjeve mbi Ilir Metën, si ish-bashkëpunëtor i Autoritetit të Dosjeve.
Kryeministri hodhi poshtë akuzat se qëndron ai pas kësaj çështje, teksa theksoi se kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Genta Sula nuk ka asnjë lidhje me politikën dhe se në atë post është propozuar pikërisht nga vetë Meta.
Rama kërkoi votimin në Kuvend të ndryshimit të ligjit për dosjet, që do t’i hapte rrugën një hetimi të plotë mbi aktivitetin e bashkëpunëtorit me inicialet I.M në shërbim të Sigurimit të Shtetit.