Prapaskena ka parë një dosje të pazakontë mbi një ngjarje të ndodhur një vit më parë, ku protagonist ishte biznesmeni Gani Moka me punonjësen e kompanisë së tij Frida Duka, të cilët kanë përfunduar të zhveshur buzë Lumit Shkumbin.
Duke shkuar nga Lushnja në Elbasan, Gani Moka dhe Frida Duka kanë ndaluar makinën e tyre në një xhep rruge në Peqin, buzë lumit Shkumbin, në cep të urës, sipas tyre për t’i bërë foto një biznesi. Kompania e Gani Mokës certifikon biznese, duke i pajisur me certifikata isso.
Aty befas u ka shkuar me shpejtësi pranë një automjet tip BMW X5 e bardhë, nga e cila kanë zbritur Seit Manahasa dhe Kreshnik Manahasa.
Ata kanë filluar të kërcënojnë dhe godasin biznesmenin Moka dhe punonjësen Frida Duka, ku u kanë kërkuar 20 mijë euro, me argumentin se u kishin dëmtuar skrepin tek biznesi, duke i hedhur sheqer, një sajesë kjo qesharake për të justifikuar veprimet kriminale.
Dy dhunuesit i kanë futur me dhunë në makinë, duke i çuar në një gropë pranë Lumit Shkumbin.
Në dosje thuhet se biznesmeni është goditur me gurë në kokë, ndërsa Frida është dhunuar dhe ngacmuar seksualisht nga Manahasa
Gjatë hetimeve është provuar se në këtë pengmarrje kanë marrë pjesë Seit Manahasa dhe kushëriri i tij, Kreshnik Manahasa (Muhollari), të cilët tashmë janë marrë të pandehur dhe ja dërguar në gjykatë, ku i pret dënimi.
Në dosje thuhet se pasi i kanë zbritur të dy nga makina, dy dhunuesit kanë filluar t’i godasin duke i kërkuar 20 mijë euro me argumentin se u kishin dëmtuar skrepin, duke i hedhur sheqer apo që kanë kryer veprime të tjera të turpshme, në ambientet e subjektit.
Duke mohuar akuzat e ngritura nga Seit Manahasa dhe Kreshnik Muhollari, biznesmeni Moka, i ka kërkuar të akuzuarve së paku të linin të lirë punonjësen e tij, Frida Duka.
Por, Manahasa u ka kërkuar Mokës dhe punonjëses së tij që të bënin seks, dhe ata t’i filmonin me qëllim për t’i gjobitur. Moka dhe zonja Duka kanë refuzuar.
Në dosjen hetimore thuhet se dy të pandehurit i kanë zhveshur me forcë biznesmenin dhe punonjësen e tij dhe i kanë filmuar me telefon, duke i kërcënuar se videon, do ua çonin familjarëve dhe do i postonin në “Youtube”, nëse biznesmeni Moka, nuk do t’i jepte 20 mijë euro.
Madje për një moment njëri nga personat e pandehur ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me punonjêsen, ndaj prokuroria ka ngritur edhe akuzën e “Ngacmimit seksual” ndaj Kreshnik Muhollarit.
“Do biesh lekët, në të kundërt do të të vrasim familjen, nëse ti do shkosh të ankohesh”, – ka qenë një prej kërcënimeve të shënuar në dosje.
Seit Manahasa dhe miku i tij, Kreshnik Muhollari, i kanë liruar dy pengjet me premtimin se nuk do shkonin të bënin denoncim në polici dhe biznesmeni do çonte 20 mijë eurot tek Manahasa.
Pas lirimit, rrugës për në Elbasan, Ganiu ka telefonuar djalin e tij në Tiranë, dhe i ka shpjeguar se çfarë kishte ndodhur me dy persona të panjohur.
Po kështu ka njoftuar dhe një mikun e tij, i cili i kishte thënë të shkonte te Drejtoria e Policisë Elbasan, pasi drejtuesit e policisë Elbasan, ishin njoftuar për ngjarjen dhe po i prisnin për të dëshmuar.
Pas kallëzimit, policia e Elbasanit, në muajin Maj 2021 ka urdhëruar RENEA-n, e cila kreu arrestimin e Seit Manahasës, ndërsa shpalli në kërkim mikun e tij Kreshnik Muhollarin.
Tashmë të dy këta personazhe janë marrë të pandehur për 4 vepra penale dhe pritet që në ditët në vijim të nisë ndaj tyre procesi gjyqësor.