Lufta për kapjen e tregut të ilaçeve dhe gjobëvia, 2 pistat ku heton policia për tritolin ndaj Suida Kukës

Kronike

Publikuar: 03/07/2022

Lufta për kapjen e tregut të ilaçeve dhe gjobëvia, 2 pistat ku heton policia për tritolin ndaj Suida Kukës

Nga Elton Qyno

Lufta për të kapur tregun e shitjes së medikamenteve dhe paisjeve farmaceutike në zonën veriore të Shqipërisë, si dhe një gjobëvënie e mundshme ndaj biznesmenit Agim Kuka, janë dy pistat kryesore ku policia e Shkodrës, është përqëndruar në hetimin e ngjarjes së vendosjes të tritolit tek makina e Suida Kukës.

Drejtoresha e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër ka vetëm 1 muaj e gjysëm që ishte emëruar në këtë institucion, duke pasur akses në kontrollin e tregut, të ilaçeve në farmacitë që operojnë në zonën veriore të Shqipërisë.

Tregu i medikamenteve është më fitimprurësi dhe pa dyshim, lufta për të kapur këtë treg është e madhe. Aq më tepër kjo luftë shtohet dhe bëhet më e egër, për disa medikamente që rimbulsohen financiarisht nga qeveria, dhe e gjithë procedura e subvencionimit ndiqet nga drejtoria që përfaqëson, Suida Kuka.

Sipas burimeve të policisë Shkodër, pista e detyrës është parësore dhe kjo përforcohet akoma dhe më tepër nga përmbajtja e një SMS-je, që ka mbëritur ditën e ngjarjes, në telefonin e drejtoreshës dërguar nga një person anonim.

Mësohet se përmbajtja e tekstit të sms, ku personi me një numër të huaj i shkruan drejtoreshës, vetëm pak minuta pasi ishte vendosur lënda shpërthyese poshtë makinës së saj.
“…largohu dhe mos qëndro asnjë sekondë në atë zyrë, duhet të na qëndrosh larg… të ikësh edhe prej Shkodrës…”-thuhet në dokumentat e policisë.
Pas këtij mesazhi Suida Kuka, ka njoftuar bashkëshortin dhe babain e saj, biznesmenin Agim Kuka.

Më tej drejtoresha ka njoftuar dhe policinë e Shkodrës, duke bërë që në vendgjarje të shkojnë forca të shumta.

Megjithëse autorët janë përpjekur qartësisht që përmes këtij mesazhi të lidhin ngjarjen me detyrën e drejtoreshës, në fakt policia e Shkodrës po kryer veprime hetimore edhe në pistën e gjobëvënien.

Babai i Suida Kukës, Agim Kuka, është një nga biznesmenët më të njohur në Shkodër. Ai zotëron kompaninë e elektroshtëpiakeve “Arjoni” dhe është një nga bizneset që shet paisje elektroike dhe elektrike të firmave të njohura.

Dyshimet për një gjobëvënie të mundshme ndaj babait të Sueidës, ka bërë që policia dhe prokuroria e Shkodrës të verifikojë këtë pistë me shpresën e zbulimin e provave që do çonte në zbardhjen e autorëve të kësaj ngjarje.