E hapi lojën avokat Llangozi, bum kërkesash për përjashtimin e Etleda Çiftes pasi SPAK e mori të pandehur, por s’kërkoi pezullimin nga detyra

Aktualitet

Publikuar: 22/06/2022

E hapi lojën avokat Llangozi, bum kërkesash për përjashtimin e Etleda Çiftes pasi SPAK e mori të pandehur, por s’kërkoi pezullimin nga detyra

Nga Elton Qyno

Një seri përjashtimesh nga trupat e gjykimit në KPK-ë po ndodh ndaj komisionerës së Vettingut Etleda Çiftja, e cila tashmë është faktuar dhe pranuar nga vetë institucioni ku punon, se është marë e pandehur nga SPAK për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Deklarimit të remë të pasurisë”.

Megjithëse statusi juridik i Etleda Çiftes ishte “E PANDEHUR” dhe domosdoshmërisht duhej që më kërkesë të SPAK të pezullohej nga funksioni i saj si komisionere, çuditërisht Çiftja vijonte punon normalisht madje duke gjykuar prokurorë dhe gjyqtarë.

Rast i rallë në jurisprudencën botërore, ku mund të ndodhi vetëm në Shqipëri, pasi i pandehuri gjykon gjyqtarin dhe prokurorin. Ndërsa në gjithë universin formula e gjykimit është se gjyqtari gjykon të pandehurin.

Loja e përjashtimit në seri të Etleda Çiftes fillimisht u hap nga avokati Arben Llangozi, i cili në KPK-ë mbronte interesat juridike të gjyqtarit të Shkodrës Andri Ymeri.

Gjatë seancës dëgjimore ku palët duhet të jepnin parashtrimet, avokati Llangozi i bëri një pyetje komisioneres Etleda Çiftja, nëse ajo ishte marë e pandehur apo jo nga SPAK.

Komisionerja nuk iu përgjigj pyetjes së Llangozit, por ky i fundit i kujtoi Çiftes se kishte detyrimin ligjor para ligjit dhe shqiptarëve të tregonte të vërtetën nëse ishte marë e pandehur ose jo.

Nisur nga kjo situatë, Llangozi iu drejtua relatorës së komisionit të gjykimit Pamela Qirko, duke kërkuar përjashtimin e Etleda Çiftes, pasi prezenca e saj në këtë gjykim, cënon jo vetëm besimin e publikut, por bie në kundërshtim me normat ligjore për një proces të drejtë dhe të rregullt.

Kërkesa e Llangozit u pranua qysh në datën 14 qershor, duke vendosur përjashtimin e Çiftes nga trupa e gjykimit, e bashkë me të iku dhe kryesuesi Roland Ilia.

Por tashmë loja e hapur nga Llangozi po shkon drejt një efekti domino. Kjo pasi Etleda Çiftja është duke u përjashtuar në të gjitha kolegjet e gjykimit ku është zgjedhur.

Atë që në fakt duhet t’ja bënte SPAK-u por nuk po ja bën, po e realizojnë avokatët dhe subjektet e rivlerësimit, duke kërkuar përjashtimin e Çiftes në gjykimet e tyre.

Jo më larg se pak ditë më parë ka qënë gjyqtari i Tiranës Altin Abdiu, i cili si Llangozi, kërkoi përjashtimin e Etleda Çiftes. Komisioni i ngritur për gjykimin e kërkesës së Abdiut vendosi të pranojë kërkesën e tij, duke urdhëruar përjashtimin e Çiftes.

Të njëjtën praktikë juridike janë duke kryer edhe avokatë të tjerë, të cilët kërkojnë përjashtimin e Çiftes, pasi prezeca e saj në Vetting në një kohë kur është marë dhe e pandehur nga SPAK, cënon rëndë besimin e publikut dhe njëherësh ligjin.

Por ajo që do ishte e drejtë të ndodhte dhe që duhet ligjërisht të ndodhë sipas ligjit penal, është se SPAK duhet t’i drejtohet me një kërkesë gjykatës së posaçme, duke kërkuar caktimin e masës së sigurimit “Pezullim nga detyra” të komisioneres.

Rasti i Etleda Çiftes, është një rast i përsëritur pasi dhe komisionerë të tjerë janë marë të pandehur nga prokuroria, dhe më pas është bërë pezulimi i tyre.